Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do të vizitojë Bujanocin më 7 mars, ka bërë me dije kryetari i Komunës, Shaip Kamberi, ndërsa ka theksuar se në janar i ka dërguar ftesë zyrtare për vizitë.
Data 7 mars për vizitën është caktuar qëllimisht pasi që përkon me hapjen e shkollën së parë në gjuhën shqipe gjatë kohës së Perandorisë Osmane.
Kjo datë, sipas Kamberit gjatë një bisede për “Politika”, për shqiptarët ka rëndësi kulturore dhe historike.
“Kohës së fundit, pavarësisht tensioneve, të themi incidenteve mes Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të karakterizohen si marrëdhënie që shkojnë në drejtim të mirë”, ka thënë Kamberi.
Ai ka shtuar se vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Nish dhe themelimi i Dhomës së Tregtisë për zhvillimin e lidhjeve të biznesit mes dy vendeve, janë vetëm disa prej shembujve të praktikës së mirë, ndërsa edhe kjo vizitë duhet të shihet në këtë aspekt.
Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë e gjuhës shqipe. Ajo u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në shtëpinë e ofruar për mësimdhënie nga Diamanti Terpo. Kjo ndërtesë është sot muze kombëtar i arsimit. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Ai e filloi mësimin në gjuhën shqipe fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.
Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve, nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.