Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se ekstremizmi i dhunshëm mund të parandalohet nëse në këtë luftë përfshihen edhe prijësit fetarë dhe familjet kosovare.
Në konferencën “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm” të martën, ambasadori po ashtu ka theksuar se ndjehet shumë krenar që Kosova dhe SHBA-ja, janë bashkë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
“Komunitetet lokale janë aseti më i fuqishëm që kemi në parandalimin e radikalizmit. Familjet, shoqëria dhe prijësit fetarë janë ata që kanë rolin kryesor në këtë luftë. Jam krenar për partneritetin e fuqishëm në mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, në luftën kundër ekstremizmit”, është shprehur Delawie.
Delawie është shprehur se SHBA-ja përmes Ambasadës në Kosovë, i ka përkrahur autoritet vendore për ta parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
“Sa i përket çështjes së luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, kemi nevoja thelbësore për të zhvilluar mënyra të përshtatshme dhe efektive për ta luftuar terrorizmin. Ambasada amerikane i ka mbështetur fuqimisht institucionet kosovare në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Tani është thelbësore që prijësit fetarë t’i marrin frerët në duar, dhe t’i zbatojnë politikat qeveritare për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë Delawie.
Sipas tij, njëri ndër shkaqet kryesore të radikalizmit fetar të të rinjve kosovarë, është papunësia dhe thotë se duhet punuar që Kosova të bëhet një vend më i mirë për qytetarët e saj, raporton Klan Kosova.
“Çdo ditë e më shumë po mësojmë rreth rrënjëve të këtij radikalizmi. Ata zhyten në këto gjëra kur nuk kanë punë dhe nuk e gjejnë veten brenda këtij radikalizmi. Duhet të punojnë bashkërisht që të ndërtojmë një Kosovë të begatshme dhe pa korrupsion për qytetarët e saj”, ka deklaruar Delawie.