Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që t’i jap fund koalicionit me Aleancën Kosova e Re në komunën e Mitrovicës.
Ndërprerja e koalicionit ka ardhë pas shkarkimit të drejtorit të Arsimit, Pajazit Hajzeri nga kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri.
Këtë për Gazetën Metro e ka konfirmuar edhe kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.
Ai, largimin e drejtorit të Arsimit e numëroi si njërën ndër arsyet e prishjes së këtij koalicioni, duke bërë të ditur se nesër në një konferencë për media do të japin edhe arsyet tjera.
“Njëra prej arsyeve kryesorë është vendimi i djeshëm i Agim Bahtirit. Sepse e ka larguar pa konsultim me neve (partnerin). Ne e kemi kuptuar këtë lajm vetëm përmes mediave. Sot e mbajtëm një mbledhje ne si degë e LDK-së dhe me konsultim edhe me qendrën vendosëm t’i japim fund këtij koalicioni”, tha Kamberi për Gazetën Metro.
Lidhja Demokratike e Kosovë kishte hyrë në koalicion me Aleancën Kosova e Re në Mitrovicë, në vitin 2013 pas raundit të parë të zgjedhjeve./gazetametro.net