Sot, e premte, nis xhiroja e katërt e Superligës së Kosovës, me vetëm një ndeshje në program.
Në stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional në Hajvali, Prishtina do të jetë nikoqire e Vushtrrisë, në një përballje që nis nga ora 16:00.
Prishtina, e drejtuar nga Orges Shehi, vjen në këtë takim pas dy fitoreve radhazi ndaj Ballkanit dhe Llapit. Ndeshja e javës së dytë ndaj Dritës është shtyrë.
Në anën tjetër, Vushtrria e Besnik Kollarit kërkon pikët e para të sezonit, pasi në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka pësuar tri humbje.
Xhiroja e katërt do të vazhdojë të shtunën dhe të dielën, me nga dy ndeshje që do të zhvillohen në secilën ditë.