Loading…

‘Prisnim t’i rrezikonte edhe ekipet e mëdha’: Gazetari anglez flet për periudhën e Rashicës te Norwich City

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 21/09/2022 | 19:36

‘Prisnim t’i rrezikonte edhe ekipet e mëdha’: Gazetari anglez flet për periudhën e Rashicës te Norwich City

Në korrik të 2021 Milot Rashica u transferua nga Werder Bremen te Norwich City. Atë kohë transferimi i tij në ligën më të fortë në botë kishte bërë bujë të madhe dhe normalisht pritshmëritë për të kishin qenë mjaft të mëdha. Megjithatë, anësori kosovar nuk arriti të tregoj kualitetin e tij. Pse nuk u ambientua në klubin anglez? Çfarë i shtyu këta të fundit ta dërgojnë në huazim te Galatasaray? Dhe disa gjëra të tjera rreth Rashicës për Gazeta Metro ka folur gazetari i mediumit të njohur anglez ‘The Athletic’, Michael Bailey.


Bailey që nga viti 2007 punon si korrespodent i Norwich Cityt duke qenë kështu figurë e respektuar te ‘Kanarinat’. Ndërsa, mbi të gjitha që nga mosha tetë vjeçare nuk ka munguar pothuajse në asnjë ndeshje të Norwich Cityt. Pra, në një mënyrë apo tjetrën edhe për anësorin nga Vushtrria e ka formuluar një mendim.

Rashica në këtë fillim të edicionit nuk është se kishte pasur paraqitje të mira në Championship. Për këtë arsye trajneri, Dean Smith ishte detyruar në disa ndeshje mos ta inkuadronte nga minuta e parë ose edhe më keq, mos ta ftonte.

”Miloti nuk pati një ndikim të madh në fillim të këtij sezoni, kështu që Smith u dha mundësi lojtarëve të tjerë përpara tij dhe Norwich filloi të performonte më mirë. Mendoj se në atë moment, ata e dinin se do të ishte më mirë për Milotin të gjente një ekip tjetër që të fillojë të luajë dhe më pas të shikonin se si do të ecin gjërat. Shumë lojtarë të tjerë në Norwich kishin bërë më mirë se ai në mendjen e Smith,” tha fillimisht Bailey për Gazeta Metro.

Siç thamë edhe më lart pritshmëritë për Rashicën kishin qenë të mëdha. Norwich City kishte paguar 11 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij. Sipas gazetarit anglez pa dashur ta mohoj talentin e Rashicës ishin disa gjëra elementare që i kanë munguar atij për t’u përshtatur.

”Ishte një periudhë e mirë për Milotin kur Smith erdhi fillimisht, por pastaj ai u lëndua dhe nuk u kthye realisht më në atë nivel. Milot është lojtar i mirë me topin por kishte vështirësi të mëdha me goditjet e tij dhe shpesh i mungoi shkathtësia për të krijuar raste. Mendoj se në momentin që u kuptua se nuk do të kishte sukses këtë sezon, Miloti u përball me vështirësi të mëdha dhe nuk ia doli të rikthehet,” tha ai.

Sezoni i kaluar ishte një ‘katastrofë e vërtetë’ për Norwich Cityn. Ata përfunduan në vendin e fundit në tabelë me vetëm 22 pikë pikë të grumbulluara në Premier League. Dhe, vetëm pas një sezoni që u inkuadruan në elitën e futbollit anglez u rikthyen përsëri në Championship.

Rashica kishte kontribuuar vetëm një gol dhe dy asistime në 31 ndeshje. Për Bailey nuk mund të fajësohet për këtë vetëm 26-vjeçari kosovar, sepse kishte ndikuar edhe loja e skuadrës angleze për dallim nga ajo e Rashicës.

”Isha i emocionuar për transferimin e tij. Siç jam në njohuri unë të gjithë në klub ishin. Ekzistonte një shpresë e madhe se kishim nënshkruar me një futbollist nga i cili mund të prisnim se mund t’i rrezikonte ekipet e mëdha. Por, isha i shqetësuar nëse stili i tij do t’i përshtatej asaj që donte Norwich të bënte dhe nëse do të bëhej ndonjë ndryshim do të jepte fryte. Shumë shpejtë u bë e qartë se shumë nga ato që kishte planifikuar Norwich nuk do të funksiononin, dhe vështirë se mund të fajësohet Miloti për këtë,” tha ai.

Në fund, gazetari i ‘The Athletic’ shpreson se Rashica të ketë një sezon sa më të mirë te Galatasaray dhe të rikthehet në ‘Carrow Road’ me formë sa më të mirë.

”Do të doja që ai të kishte një sezon vërtet produktiv dhe më pas të kthehej në Norwich si një lojtar kyç. Por, unë po supozoj se do të duhet Norwich të inkuadrohet së pari në Premier League dhe gjithashtu Smith të jetë i bindur se Miloti është përmirësuar,” përfundoi Michael Bailey për Gazeta Metro.

Duhet theksuar se, Gazeta Metro ka kontaktuar edhe me gazetar nga Turqia për të folur lidhur me Milot Rashicën dhe kalimin e tij në Galatasaray.

Shumë shpejt do të sjellim për lexuesit detaje nga ekipi i ri i futbollistit kosovar, Milot Rashica./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë