Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, u takua me zëvendësambasadorin e Italisë në Kosovë, Matteo Corradini, ku temë kryesore ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Italisë.
Ministrja e ka njoftuar Corradinin lidhur me zhvillimin dhe ecurinë e reformave ekonomike si dhe rreth përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit afarist në vend.
Bajrami falënderoi ambasadën italiane për përkushtimin në funksion të thellimit të raporteve ekonomike në mes të dy vendeve.
Gjithashtu, ajo ka falënderuar përfaqësuesit italianë për bashkëpunimin lidhur me organizimin e Forumit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, i cili u mbajt në Romë në janar të këtij viti, e që organizua nga ICE – Agjencia Italiane e Tregtisë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Zëvendës-ambasadori Corradini, tha se pala italiane është ndarë mjaft e kënaqur me rezultatet e organizimit të forumit ekonomik dhe se tashmë po punojnë së bashku me Qeverinë e Kosovës që t’i mbështesin kompanitë e interesuara italiane që të vijnë në Kosovë për të kaluar në veprime konkrete, sa i përket investimeve dhe bashkëpunimit afarist me Kosovën./gazetametro.net