Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric po vazhdon me paraqitje të shkëlqyeshme në Championship me skuadrën e Burnley. Ai edhe mbrëmë e vërtetoi këtë në ndeshjen kundër Stoke City, e cila në fund përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, transmeton Gazeta Metro.
Mbrëmë ndaj Stoke City skuadra e udhëhequr nga ish-mbrojtësi i njohur, Vincent Kompany pësoi gol në minutën e 87’të, derisa paraprakisht kishte shënuar në minutën e 54’të me anë të Connor Roberts.
Para se të shënonte golin e epërsisë mbrojtësi i Burnley, Taylor Harwood-Bellis bëri një gabim të pafalshëm në qendër të fushës.
Topin e mos pranuar mirë nga ana e tij e mori sulmuesi, Tyrese Campbell i cili vrapoi drejt portës por dështoi të shënoi përballë Arijanet Muric. 23-vjeçari kosovar përveç kësaj bëri edhe dy pritje të tjera.
Në fund, Harrison Clarke pas harkimit të mrekullueshëm nga Tarique Fosu barazoi rezultatin në 1-1, ku me një goditje me kokë drejt portës shënoi golin e dytë personal këtë edicion.
Duhet theksuar se, paraqitja e Arijanet Muric u vlerësua me notën 6.8 nga SofaScore.
Burnley është në pozitën e pestë në tabelë me 19 pikë nga 12 ndeshje të zhvilluara deri më tani në Championship, ndërsa sfidën e ardhshme do ta luajnë të shtunën ndaj Coventry.
Momentin e pritjes fantastike nga Muric e gjeni nga sekonda 0:25, kurse golin e pësuar nga minuta e 1:30. /gazetametro.net