Loading…
Privatizimi i AAK’së në Telekom vazhdon: Kryeministri rehaton edhe kunatën pa konkurs
  • 15/03/2019 | 19:35

Privatizimi i AAK’së në Telekom vazhdon: Kryeministri rehaton edhe kunatën pa konkurs

Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar Vesmira Haxhaj – Haradinaj. Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj.


Ka disa javë që ajo është parë në punën e saj të re, por KTV-ja ka mundur të vërtetojë se ajo e ka marrë kontratën nga 22 shkurti, kurse në sistem ka hyrë vetëm brenda kësaj jave.

Ani pse rroga e saj prej rreth 2,200 eurosh, është pak më e vogël se e kunatit-kryeministër dhe e barasvlershme me atë të kunatit tjetër, deputetit Daut Haradinaj, ajo është vënë në këtë pozitë pa u shpallur fare konkurs.

Në  qershor të vitit të kaluar, Haradinaj kishte thënë se njerëzit e Aleancës nuk kishin guxuar as të konkurrojnë për vende pune në kohën që kjo parti ishte në opozitë.

Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar kunatën në Telekom, por Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje për këtë emërim apo punësim nuk ka dhënë as menaxhmenti i Telekomit, pavarësisht që televizioni ka pritur dy ditë për përgjigje.

Kontakti me Haxhaj-Haradinajn, zëvendësdrejtoreshën e re të Financave, ka qenë i pamundur.

Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin.

Pikërisht pas raportimeve të vazhdueshme të KTV-së, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këto punësime.

Prokuroria, gjithashtu, ka konfirmuar se tashmë janë marrë dokumentacione nga zyrat e Telekomit, në shërbim të këtyre hetimeve.

Kujtojmë edhe se Metro është duke publikuar artikuj me rastin e punësimeve në Telekomin e Kosovës, dhe në ditët në vazhdim do të publikohen raporte të reja dhe punësime skandaloze./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë