Nuk është se nuk i njoh rrethanat në Lindjen e Mesme, por meqë në atë rajon nuk mund të bësh analizë pa prekur religjionin, këtë fuqi baroti në botën arabe dhe më gjerë, kam vendosur të heshtë. Mirëpo, heshtjen nuk po mund ta vazhdoj, sidomos kur po shoh disa analistë ose opinionistë të respektuar që janë marrë me çështjen e Iranit dhe kritikojnë Amerikën për “gabimin” e madh të saj që bëri duke e vrarë kriminelin me përmasa botërore, Kasem Solejmani.
Shkruan Pal Shtufi
Se kush është politika e ajatollahëve dhe çka përfaqëson ajo, as që dua të humb kohë ta shpjegoj, sepse, s’ka njeri i rritur që nuk e di këtë. Çdo njeri human – edhe ne shqiptarët – duhet të ndjejmë keqardhje pse gjithë asaj madhështie kulturore persiane i ka rënë saçi teokrat mbi kokë, duke djegur brilantet e saj, por asgjë më shumë se keqardhja nuk na takon. Natyrisht, për ne është me rëndësi involvimi i mikut tonë më të madh e të përhershëm në këtë republikë të terrorit islamik, pra involvimi i Amerikës. Amerika, në një formë ose tjetër, që nga viti 1978 është në luftë me regjimin e ajatollahëve dhe vrasja e gjeneralit të vdekjes, Kasem Solejmanit, nuk përbën ndonjë të papritur. Së këndejmi, për disa njerëz tanë nuk do duhej të përbënte shqetësim ky sulm amerikan ndaj një vrasësi masiv, siç ishte gjenerali Kasem Solejmani.
Të gjitha përpjekjet për të arritur ndonjë marrëveshje me ajatollahët, kanë dështuar. Në fakt, as që mund të shpresohet që zjarri dhe baroti mund të koekzistojnë në të njëjtën arkë. Për më tepër, unë mendoj se regjimi teokrat i Teheranit, sapo të bënte marrëveshje stabile paqësore me Amerikën, do të shënonte fundin e tij. Pse, do thuash? Thjesht, ky regjim dhe kjo mendësi e republikës islamike është e ndërtuar mbi urrejtjen ndaj Amerikës. Ta zëmë, sikur nesër të mos kishte më “shejtan-Amerikë,” ekzistimi i regjimit në Teheran nuk do të kishte kuptim substancial.
NE JEMI ME AMERIKËN, SIKURSE PALESTINEZËT ME SERBINË DHE RUSINË
Interesi ynë kombëtar është mirëqenia e Amerikës dhe sukseset e saj kudo në botë. Pa Amerikën, ne do të ishim sall viktima të lojërave bizare të sllavëve, por edhe të europianëve majtistë. Do të ishim një provincë serbe me nja 500 mijë banorë dhe me nja 1,5 milion të ikur botës gjithandej dhe asgjë më shumë. Prandaj, ne shqiptarët, duhet ta mësojmë njëherë e mirë se fati ynë është i lidhur me Amerikën dhe se interesi ynë është jetësisht i lidhur me interesat amerikane. Është krejt legjitime që ne ta kemi aleat Amerikën dhe Perëndimin e ndritur, sikurse është legjitime, ta zëmë, aleanca e iranianëve ose palestinezëve me Rusinë ose Serbinë.
Është legjitime ta përkrahim Amerikën në çdo hap, ashtu siç bënë edhe Izraeli. Mendoj se, politikisht dhe ekonomikisht jemi tepër mikroskopik për të diktuar politika globale ose për të mos qenë në vijë amerikane – qoftë edhe symbyllas, ashtu siç bën Izraeli. Historitë politike flasin mjaft për lojërat politike të vendosura vetëm në një kartë. Shumë prej këtyre lojërave janë dëshmuar të suksesshme. Izraeli është rast tipik. Edhe duhet ta pranojmë këtë rol dhe këtë fat. Ne ekzistojmë si shtet shkaku i NJË karte, shkaku i politikës amerikane dhe trupave të stacionuara në vendet tona. Natyrisht, në këtë kompozicion janë edhe shumë shtete të Europës, por sot po flasim për lokomotivën e kompozicionit Perëndimor – Amerikën.
REFLEXI ANTI-AMERIKAN I MAJTISTËVE EUROPIAN
Historikisht Europa Perëndimore ka treguar dy zhvillime, të cilat vetëm atë e tipizojnë. Në njërën anë e tipizon kultura e lartë dhe zhvillimi ekonomik i jashtëzakonshëm, ndërsa në anën tjetër, historikisht, Europa është treguar egoiste, e ngathët dhe pa vizion, sa i përket politikës së jashtme, veçanërisht politikës përballë Perandorisë Otomane, më herët, dhe Rusisë e Serbisë, më vonë. Po mos të ishte Amerika në fillim të shekullit 20 dhe në mes të po atij shekulli, për kulturën Europiane dhe qytetërimin e saj do të lexonim vetëm në libra… Pra, Amerika është shpëtimtare jo vetëm e shqiptarëve por e tërë Qytetërimit Perëndimor. Pse? Thjesht, Amerika kishte vizion dhe politika shumë largpamëse, si në aspektin global, po ashtu edhe në atë nacional. Natyrisht, nuk dua ta glorifikoj tani Amerikën deri në pagabueshmëri por, siç thash më lart, nuk jemi ne ata të cilët i mbajnë mësim Amerikës sepse ne jemi vetëm, të themi ashtu, një nga ato shumë puplat që ka shqiponja amerikane në trupin e saj.
Heshtja, edhe kur Amerika ndonjëherë gabon, është zgjidhje inteligjente dhe legjitime. Palestinezët heshtin dhe i mohojnë masakrat e shtetit serb ndaj shqiptarëve dhe ne këtë e marrim si normale, sepse Serbia dhe Rusia janë aleatë dhe interes i palestinezëve. Pse mos të jemi edhe ne të tillë ndaj Amerikës edhe kur ajo ndonjëherë gabon? Pse duhet të ndikohemi nga refleksi antiamrikan i majtistëve europian? Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar kjo. Ne jemi popull tejmase i vogël për t’i drejtuar gabimet e superfuqive.
Ne duhet të shikojmë interesat tona dhe ato duhet t’i mbrojmë edhe me çmimin e kacafytjes me mendësinë majtiste europiane. Natyrisht, edhe te ne ka dhe do të ketë të majta të cilat ende Amerikën e shohin si „e keqe imperialiste“. Prandaj, mendoj që Kosova dhe Shqipëria duhet ta mbrojnë me kushtetutë pro-amerikanizmin shqiptar, këtë domosdoshmëri jete. Nuk duhet dhënë nesër shans ndonjë majtisti të papërgjegjshëm të luajë poker me fatin tonë.
Autor është publicist i njohur në Prishtinë dhe Cyrih të Zvicrës. Artikulli është i shkruar enkas për Metro)