Loading…

Programi për Integrimin Socio–Ekonomik, në përputhje me ligjin për bujqësi

  • 20/09/2019 | 08:16

Programi për Integrimin Socio–Ekonomik, në përputhje me ligjin për bujqësi

Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviq, reagon ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Financave, Bojan Stojanoviq, lidhur me “Programin për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, në të cilën deklaratë kishte shumë pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë dhe duke krijuar konfuzion tek fermerët që presin mbështetje nga kjo ministri.


Në deklaratën e tij, gjatë ditës zëvendësministri i Financave, Stojanoviq, kishte deklaruar se MBPZHR-ja ka shpallur program për mbështetje të fermerëve, e që sipas tij kjo është bërë në mungesë të buxhetit për këtë program.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit, ministrja në detyrë e MBPZHR-së, Dijana Zivic, sqaron se “Programi për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, për të cilin është hapur thirrja për aplikim më 18 shtator, është hartuar duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe i cili sipas saj ka qenë i planifikuar edhe në buxhetin e këtij viti.

Për hartimin e këtij programi, ajo njofton se MBPZHR-ja ka punuar gjashtë muaj vazhdimisht, në mënyrë që krahas programeve tjera, të ofrojnë një program mbështetës edhe për fermerët e vegjël, që edhe ata të zhvillojnë dhe zgjerojnë veprimtaritë e tyre bujqësore.

Ndër tjerash, ministrja sqaron më tej se që nga fillimi i mandatit të saj e deri më tani, mbetet e përkushtuar vazhdimisht për mbështetjen e fermerëve, duke u bazuar në programin për bujqësi dhe zhvillim rural, e të cilat hartohen duke u bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi, e për të cilat buxheti planifikohet shumë me herët. Po ashtu, ajo sqaron se buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është një dokument publik që të gjithë palët e interesuara mund të shohin.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 18 shtator 2019 ka hapur thirrjen për aplikim në “Programin për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, më një buxhet prej tre milionë euro. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë