Loading…
Projektet e qymyrit në Serbi: Ndihmojnë Kinën dhe Rusinë të shtrijnë ndikimin në Ballkan
  • 13/03/2019 | 11:56

Projektet e qymyrit në Serbi: Ndihmojnë Kinën dhe Rusinë të shtrijnë ndikimin në Ballkan

Më 2013 presidenti Kinez Xi Jinping kishte bërë publike iniciativën ‘One Belt and One Road’, strategji zhvillimore e Kinës me anë të së cilës do të mundësoheshin investimet prej miliarda-eurosh në Azi dhe Evropë, me qëllim të fuqizimit të pozitës së Kinës në këto dy kontinente, transmeton Gazeta Metro.

Serbia vazhdon të jetë ndër përfituesit më të madh të këtyre fondeve. Miliarda euro tani më janë investuar në Serbi nga Kina në kuadër të kësaj strategjie në projekte të ndryshme energjetike, kryesisht të zhvillimit të kapaciteteve prodhuese të rrymës nga qymyri, dhe të zhvillimit të infrastrukturës së transportit.

‘Vendet e Ballkanit Perëndimor planifikojnë ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga qymyri që kapin vlerë prej 6 gigavatësh. Shumica nga këto janë të financuara përmes kredive nga Kina, përvec termocentralit ‘Kosova e Re’ në Kosovë.’, thotë Igor Kalaba, Koordinator për Politika të Energjisë në Evropën Juglindore, organizata CAN në Evropë për median rajonale, Balkan Green Energy News.

Vetëm së fundmi, anëtarët e Parlamentit në Bosne dhe Hercegovinë kanë miratuar garancinë për kredi nga Kina për ndërtimin e termocentralit të ri në Tuzëll, raporton Reuters. Paraprakisht, më 2017, Bosna dhe Hercegovina kishin përzgjedhur China Gezhouba Group dhe Guandong Electric Power Design, që të dyja këto nga Kina, për të ndërtuar njësinë prej 450 megavatësh në Tuzëll.

Në anën tjetër, vetëm pak kohë pasi paralajmëroi përfundimin e një termocentrali të ri nga qymyri më 2020, kompania shtetërore e distribuimit të energjisë elektrike në Serbi, ka njoftuar mbi fillimin e procedurave të tenderimit për rindërtimin e njësive A1 dhe A2 të termocentralit Nikola Tesla, tha të Enjtën drejtori menaxhues i kësaj kompanije, Milorad Grcic. Të dyja këto termocentrale në Serbi financohen nga fonde shtetërore të Kinës,raporton SeeNews.

Përmes projekteve të reja të energjisë nga qymyri dhe nga burime tjera, Serbia po ecën sigurtë drejt pozitës së liderit energjetik në rajon. Rishtazi, edhe Gazprom nga Rusia ka filluar ndërtimin e centralit të ri të gazit natyror me kapacitet prej 200 megavatësh në Panqevë, Serbi.

Ndryshe, rryma prinë në listën e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë dhe cdo projekt i ri energjetik në Serbi fuqizon ndikimin e këtij vendi në Kosovë dhe Ballkan.

Serbia madje ka planifikuar ndërtimin e kapaciteteve të reja nga qymyri që në total arrijnë sasinë prej 2500 megavatësh, pasuar nga Bosna me rreth 2400 megavat të planifikuara. Rryma e prodhuar nga gjithë këto termocentrale në Serbi synon tregun e Evropës, tani edhe përmes linjës së re të planifikuar të transmisionit nga Mali i Zi në Itali.

Përvec projekteve të qymyrit, sipas Zëvendës Kryeministrit të Bullgarisë Donchev, Serbia bashkë me Maqedoninë Veriore kanë shprehur interesim për pjesëmarrje edhe në projektin e centralit nuklear në Bullgari./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë