A do të përfundojë projekti ‘Bashkimi i qytetit’ të Ferizajt duke arritur vlerën deri në 13 milion euro dhe pa transparencë pavarësisht që memorandumi i mirëkuptimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Ferizajt është vetëm 4 milion euro sipas opozitës, apo mbetet vetëm deklaratë dashakeqe e individëve dhe grupeve të caktuara sipas Kryetarit Aliu, shkruan Gazeta Metro.
Projekti ‘Bashkimi i qytetit’ mbetet njëri ndër projektet më të mëdha që qeverisja e Kryetarit Agim Aliu e ka premtuar gjatë fushatës elektorale, i cili është në implementim e sipër, si dhe thuhet se do të përfundojë gjatë këtij viti.
Por opozita ferizajase akuzon Kryetarin Aliu për mos transparencë gjatë implementimit të këtij projekti madje sipas tyre ky projekt nuk ka kaluar fare përmes Kuvendit komunal të Ferizajt.
Gëzim Kokollari asambleist nga radhët e LDK-së në emisionin e mëngjesit në Klan Kosova theksoi se pavarësisht që është kërkuar seancë e jashtëzakonshme për projektin e dyshimt siç e quan ai projektin ‘Bashkimi i qytetit’ madje sipas tij këtij projekti i mungon plani i detajuar, dhe tani dyshimet e ngritura sipas Kokollarit janë duke u hetuar nga krimet ekonomike dhe prokuroria e Ferizajt.
“Ne kemi pasur rastin që të kërkojmë seancë të jashtëzakonshme për disa qështje, por njëra ndër to ka qenë edhe projekti famoz i kryetarit Aliu ‘Bashkimi i qytetit’ që të na japë detaje pa asnjë tendencë, por vetëm të na japë detaje se si shkon ky projekt. Ky projekt ka shum dyshime për shkak se memorandumi i bashkëpunimit në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunës së Ferizajt ka qenë dikun rreth 4 milion euro dhe mandej është vazhduar duke u thënë se është 8 deri në 9 milion euro për të përfunduar dikun te 12 ose 13 milionshi, prandaj është një projekt shum i dyshimt sepse ky projekt nuk ka kaluar nëpër Kuvendin komunal të Ferizajt siç do të duhej të kalonte. Nuk e di si i ka kaluar fazat e tenderimit por e di që këtij projekti i mungon edhe plani detal dhe nuk ka asnjë bazë ligjore por ka kaluar disi, por unë mendoj se me këtë qështje dhe me shumë qështje tjera që i kemi ngritur ne si opozitë, si dhe shoqëria civile tani më janë duke u marrë krimet ekonomike dhe porkuroria në Ferizaj dhe shum shpejt besoj se do të bëhet zbardhja e tyre” tha Kokollari
E në anën tjetër Kryetari Agim Aliu në një intervistë dhënë për Televizionin Tema theksoi se projektet e nisura do të mbarojnë brenda një mandati të tij, në mëyrë të veçantë do të përfundohet edhe projekti ‘Bashkimi i qytetit’ pavarësisht deklaratave dashakeqe të personave ose grupeve të caktuara politike dhe jo politike.
“Kemi dashur dhe duam që të dëshmojmë para qytetarëve ferizajas dhe para publikut se ne i fillojmë projektet dhe i mbarojmë brenda një mandati dhe njëkohësisht tregojmë edhe për projektet tjera të cilat do të jenë pjesë jo e premtimeve elektorale që janë tejkalim i asaj që ne e kemi premtuar, që të jenë pjesë e realizimit të mandatit vijues tonë, sigurisht pas marrjes në zgjedhjet e ardhshme, por me rëndësi është që t’iu themi qytetarëve se këto projekte do të kenë vijimësi, do të kenë mbështetjen e duhur që të përfundohet në mënyrë të veçantë edhe projekti “Bashkimi i qytetit” pavarësisht dashakeqësisë së caktuar të individëve dhe të grupeve qofshin ato politike apo jo politike”, tha Kryetari Aliu./gazetametro.net