Loading…

Projektligji për pagat konfronton Qeverinë me sindikatat

  • 23/11/2021 | 21:00

Projektligji për pagat konfronton Qeverinë me sindikatat

Pagat që marrin mësimdhënësit, sidomos në arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët, nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme, thotë Merita Sabedini, arsimtare e gjuhës angleze në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë. Paga e saj mujore është rreth 450 euro.


Sabedini thekson që bashkë me kolegët, tash e sa kohë, janë duke e pritur miratimin e Ligjit për pagat nga Kuvendi i Kosovës, përmes të cilit shpresojnë për ngritjen e koeficientit për pagat. Në të kundërtën, siç thotë ajo në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, sikurse të gjithë kolegët e saj, do t’i përkrahin protestat dhe grevën eventuale, të cilat i ka paralajmëruar Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK) për muajin dhjetor të këtij viti dhe për muajin janar të vitit të ardhshëm.

“A na pëlqen a jo, unë nuk besoj që ka dikush qejf që të mbajë grevë, sepse të gjitha (orët) duhet të zëvendësohen. Shpresoj që të mos arrijmë deri aty, sepse duhet të gjithë të veprojmë njëjtë nëse vendoset që të hyjmë në grevë”, thotë Merita Sabedini.

Ajo shton se paga nuk i mjafton, në veçanti tashmë kur çmimet e produkteve bazë të konsumit kanë shënuar ngritje.

“Nuk është mjaft kur ngriten çmimet kaq shumë, dhe kur shumica e njerëzve ose çdo i treti është me kredi, ndërkaq që kanë familje. Edhe ne kemi fëmijë për t’i shkolluar. Gjithçka është shtrenjtuar dhe kjo (paga) nuk mjafton. Dy vetë (familjarë) po të punojnë dhe mezi ia del”, thekson Sabedini.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit e matur në muajin tetor të vitit 2021, në krahasim me tetorin e vitit 2020, është më e lartë për 5.7 për qind. Po sipas kësaj agjencie, kjo është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të produkteve bazë të konsumit. Çmimet e bukës dhe drithërave janë ngritur për 5.7 për qind, qumështit, djathit dhe vezëve për 6.2 për qind, vajrave dhe yndyrave ushqimore 27.9 për qind, perimeve 8.8 për qind, si dhe të tjera.

Sindikalistët kërkojnë të përfshihen në hartimin e Ligjit për pagat

Çështja e Projektligjit për pagat, është bërë temë e sindikalistëve të sektorëve të ndryshëm në Kosovë, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ky projektligj të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të zbatohet nga viti 2022. Sindikatat po e akuzojnë Qeverinë se hartimi i Projektligjit për pagat po bëhet në mënyrë jotransparente.

Përderisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), tashmë ka paralajmëruar dy protesta në muajin dhjetor dhe grevë eventuale për janar të vitit të ardhshëm, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka paralajmëruar 8 orë grevë për datën 25 nëntor. Tri sindikata të tjera, ajo e policisë, e doganave dhe zjarrfikësve janë duke i shqyrtuar mundësitë e protestës me kërkesën që Projektligji për pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, Rrahman Jashari, thotë për Radion Evropa e Lirë se “mbetet te Qeveria e Kosovës nëse ajo dëshiron të parandalojë protestat dhe grevën” që tashmë kjo sindikatë ka paralajmëruar.

“Qeveria, nëse është duke punuar sinqerisht dhe pa lojëra prapa shpinës, atëherë nuk e di se pse do ta fshehte, pse do ta ruante nga sindikatat këtë versionin që është duke e punuar (i Projektligjit për pagat)”, thotë Jashari.

Mundësinë e protestës, por jo edhe të grevës, për shkak të pamundësive ligjore për një gjë të tillë, e ka paralajmëruar edhe Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Muharrem Beka, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagat e zjarrfikësve të Kosovës aktualisht janë prej 280 euro deri rreth 330 euro. Ai thotë se sindikata që përfaqëson po kërkon nga Qeveria e Kosovës transparencë lidhur me Projektligjin për pagat, si dhe bashkëpunimin me sindikalistët, në mënyrë që të hiqen dilemat e tyre.

“A është çështja e kostos financiare e pamjaftueshme apo janë duke i trajtuar shkeljet, të cilat janë bërë ndaj kategorive të ndryshme? Dhe të informohemi saktë se çka dhe si do të procedohet më tutje… Shqetësuese është se ne sindikatat, përveç që dimë se është një grup punues që është duke u marrë me Projektligjin për pagat, ne fare nuk e dimë se a është plotësim-ndryshim (i Projektligjit paraprak për pagat) apo është ligj i ri”, thotë Beka.

Ligji për pagat, peng që nga viti 2019

Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar asokohe nga Ramush Haradinaj, pati dërguar në Projektligjin për pagat më Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihte ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë. Me këtë ligj, një mësimdhënësi të shkollës fillore do t’i rritej paga nga 470 euro në 612, ndërsa një mjeku specialist nga 600 në 1.195 euro. Ngritje pagash ishin paraparë edhe për policinë dhe doganat, por jo edhe për zjarrfikësit.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Që nga korriku i viti 2019 e deri në mars të vitit 2021, Kosova ka pasur katër qeveri. Ndërrimi i shpeshtë i qeverive e ka lënë çështjen e Ligjit për pagat në margjinat e interesimit të pushtetit ekzekutiv.

Qeveria: Projektligji për pagat, është duke u punuar

Burime brenda Qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Ligji për pagat do të sillet në Kuvendin e Kosovës në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë për Radion Evropa e Lirë.

Në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me ecurinë e Projektligjit për pagat, Kryeziu ka theksuar se Qeveria është duke u angazhuar maksimalisht për një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme.

Ai ka theksuar se “grupi punues aktualisht është duke punuar në Projektligjin për pagat, i cili pasi të hartohet, do të dërgohet për konsultime paraprake dhe konsultime publike”.

Ai ka shtuar se Ligji për pagat është ndër ligjet më komplekse në agjendën legjislative dhe se “ligji i miratuar nga qeveria e kaluar kishte krijuar pabarazi të mëdha dhe si rrjedhojë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka ngushtuar terrenin për hartimin e këtij ligji”.

“Këto janë arsyet shtesë pse hartimi i këtij ligji kërkon më shumë kohë, në mënyrë që të adresohen gabimet e kaluara që kanë krijuar pabarazi, por që edhe projektligji i ri të jetë në përputhje me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës synon përgatitjen e një serie të dëgjimeve publike, me qëllim që ky ligj të hartohet në mënyrë të duhur dhe të zgjidhë problemin në mënyrë afatgjate.

Mosbesimi i sindikalistëve

Por, sipas kreut të Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, Projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2022, i cili pritet shpejt të dalë për miratim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk parasheh mjetet buxhetore për zbatimin e Ligjit për pagat gjatë vitit të ardhshëm.

“Nuk ka mjete financiare të planifikuara për zbatim të Ligjit për pagat dhe nuk është në projekt të buxhetit për vitin 2022. Ne nuk e kemi parë dhe besoj që nuk e ka parë askush, sepse besoj që nuk është planifikuar”, thotë Beka.

Ndërkaq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, thotë që fati i zbatimit të Ligjit për pagat, në qoftë se eventualisht ai miratohet së shpejti, mbetet i padefinuar.

“Nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk parasheh buxhet për mbështetjen e këtij ligji, atëherë ligji mund të aprovohet kot, sepse pastaj do të kemi telashe. Do të kemi ligj, por nuk do të kemi zbatim të tij”, thekson Jashari.

Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar se seancën plenare të planifikuar për 25 nëntor, në rend dite do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2022.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë