Loading…

Projektligji për tekstet shkollore brenda vitit miratohet në Kuvend, do të konkurrojnë autorët dhe jo shtëpitë botuese

  • 05/06/2021 | 12:53

Projektligji për tekstet shkollore brenda vitit miratohet në Kuvend, do të konkurrojnë autorët dhe jo shtëpitë botuese

Projektligji për tekstet shkollore brenda vitit miratohet në Kuvend, do të konkurrojnë autorët dhe jo shtëpitë botuese Qeveria e Kosovës deri në fund të vitit po synon që ta dërgojë në Kuvend për miratim projektligjin për tekstet shkollore. Konkurrimi i autorëve me tekstet e tyre dhe jo i shtëpive botuese do të jetë vetëm një nga ndryshimet që po proklamohet nga pozita.


Projektligjin për tekstet shkollore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka paraparë edhe në agjendën legjislative për këtë vit, derisa njohës të fushës së arsimit po kërkojnë që ky projektligj të jetë prioritet i ekzekutivit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Fitim Uka tregon se çka do të kenë prioritet gjatë hartimit të këtij projektligji

Sipas tij, për të pasur tekste cilësore duhet të konkurrojnë autorët e teksteve dhe jo shtëpitë botuese.

Uka që bënë pjesë edhe në Komisionin Parlamentar për Arsim, thotë për KosovaPress, se ajo çka ka ndodhur deri më tani është favorizim i skajshëm i shtëpive botuese.

“Në radhë të parë nuk jemi për monopol në tekstet shkollore. Ajo çka ka ndodhur deri tash është favorizim i skajshëm i shtëpive të caktuara botuese dhe neglizhim i skajshëm i ekspertizës që vjen nga autorët të cilët janë të përgjegjshëm dhe profesional. Pra, ne mendojmë që duhet të konkurrojnë autorët dhe duhet të konkurrojnë tekstet dhe jo të konkurrojnë shtëpitë botuese, sepse aty çalon pikërisht cilësia, kështu që po besoj që me projektligjin për tekstet shkollore do të ndodhë një reformë e mirëfilltë edhe në këtë drejtim”, thotë ai.

Jo rrallë herë në tekstet shkollore janë gjetur gabime të shumta, madje është përdorur edhe gjuhë e urrejtjes.

Uka thotë se në tekstet e reja shkollore nuk do të lejojnë gabime të tilla, e për këtë shton se në projektligjin e ri për tekstet shkollore, duhet saktësuar kritere më të ashpra për vlerësimin e dorëshkrimeve.

“Nuk do të tolerohen më gabime të cilat kanë ndodhur deri më tash me tekstet shkollore, komisionet recensuese duhet të jenë shumë më të ashpra, kriteret duhet të jenë të qarta për vlerësim, nuk duhet të tolerohet asnjë lloj lëshimi sepse ato tekste në momentin kur dalin në duart e mësimdhënësve dhe të nxënësve janë thjeshtë dritare për njohje. Në momentin kur ne dështojmë në këtë proces e kemi shkaktuar një telashe të madhe që është vështirë i raparueshëm, kështu që na duhet kujdes më i madh në drejtim të teksteve shkollore dhe këtë e bëjmë nëpërmjet këtij projektligji i cili besoj që do të vije brenda këtij viti në Kuvendin e Kosovës”, thotë Uka.

Njohës të fushës së arsimi vlerësojnë synimet për të miratuar këtë projektligj brenda këtij viti, madje thonë se i njëjti duhet të jetë prioriteti numër një i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin EdGuard, thotë se shpreson që projektligji për tekstet shkollore të ridefinojë procesin e botimit dhe hartimit të teksteve.

Ai shton se ideja që për tekste shkollore të konkurrojnë autorët me dorëshkrimet e tyre e rrit konkurrencës dhe mund të jetë një motiv shtesë që të ketë tekste më cilësore.

“Vlerësojmë që ligji për tekstet shkollore duhet të jetë prioritet i këtij mandati dhe atë qysh në 6 mujorin e parë të qeverisjes. Ky ligj ka qenë në rishikim për tashmë 4 vite më radhë dhe asnjëherë nuk ka arritur që të bartet tutje në Kuvendin e Kosovës për miratim. Mbi të gjitha shpresojmë shumë që ky ligj të ridefinojë procesin e botimit dhe hartimit të teksteve shkollore… Pra kjo besojmë që do të qel pak edhe konkurrencën, por edhe do të nxis për shumë autorë që të aplikojnë me dorëshkrime të tyre e që në të kaluarën ka qenë të kufizuar nga kontratat me shtëpitë botuese”, thotë ai.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Argjend Osmani, thotë për KosovaPress, se qeveria duhet të ketë parasysh që përmes projektligjit për tekstet shkollore të mundësohet konkurrenca e drejtë dhe jo të përfitojnë ata që janë të lidhur me politikën.

Ai thotë se tekstet shkollore duhet të kenë një përfshirje më të madhe të inovacionit.

“Gjatë realizimit të këtyre projekteve duhet pasur parasysh që të kultivohet konkurrenca e shëndosh, të ikim prej praktikave të mëparshme ku u janë dhënë tenderët për shkak të orientimeve të tyre politike, për shkak të nepotizmit, lidhjeve, përfitimeve materiale. Shpresojmë që kjo qeveri të ketë mbledhur sado pak mend dhe të reflektojë në krahasim me veprimet që kanë bërë qeveritë e kaluara. Padyshim që duhet të ketë përfshirje më të madhe të inovacioneve, duhet të punohet që mjedisi shkollor të bëhet një mjedis i ngrohët në aspektin emocional, një mjedis i dashur ku nxënësit dhe mësimdhënësit mezi presin që të shkojnë dhe të punojnë”, thotë ai.

Projektligji për Tekstet dhe Mjete Shkollore, Lektyrën Shkollore dhe Dokumentacioni Pedagogjik në Republikën e Kosovës, është pjesë e programit legjislativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ndërsa, ligji që aktualisht është në fuqi ishte miratuar në vitin 2007./

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë