David Schwendiman, Prokuror Special për krimet e UÇK-së në Kosovë (1998 – 1999) do të vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë. Gjatë qendrimit në Prishtinë dhe Beograd më 7 dhe 11 nëntor priten takime interesante.
Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë nuk ka bërë të ditur ndonjë hollësi lidhur me hetimet e deritanishme. Por thekson, se prokurori Schwendimann konfirmon në këtë mënyrë vendosmërinë për realizimin e mandatit.
“Ai nuk do të hyjë në hollësi rreth përmbajtjes së hetimeve”, thuhet në kumtesë.
Kryeprokurori special Schwendiman do të takohet në Prishtinë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, me Prokurorin e Përgjithshëm si dhe me përfaqësuesit e EULEX-it dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Edhe në Beograd ai do të takohet me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, të Prokurorisë për krimet e luftës si dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare atje.
Schwendiman do të prezantohet zyrtarisht si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, e cila është formuar së fundi. Prokuroria Speciale bënë të ditur, se kryerprokurori do të konfirmojë vendosmërinë dhe përkushtimin për zbatimin e këtij procesi.
Në njoftimet zyrtare nuk thuhet nëse së shpejti do të ketë ngritje të ndonjë aktakuze për krime në vitet 1998-1999./gazetametro.net