Pesë përfaqësues të Listës Serbe kanë marrë ftesë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’u paraqitur më 13 gusht, kur pritet të japin deklaratat e tyre në cilësinë e të pandehurve, transmeton Gazeta Metro.
Sipas njoftimit të këtij subjekti politik, ftesat u janë dorëzuar Igor Simiqit, Ivan Zaporozhacit, Ivan Todosijeviqit, Zoran Todiqit dhe Vasilije Tomasheviqit.
Lista Serbe pretendon se procedura lidhet me një rast të dyshuar për falsifikim të dokumentacionit, ndërsa vlerëson se ndjekja penale ka të bëjë me faktin se ata kanë ushtruar funksione drejtuese në institucionet serbe, të cilat nuk njihen nga autoritetet në Prishtinë, raporton Klan Kosova.
Rasti lidhet edhe me mosdorëzimin e objekteve komunale në katër komunat në veri të vendit, ngjarje që daton tre vjet më parë.
“Kjo përbën pjesë të një plani më të gjerë të drejtuar ndaj përndjekjes së popullit serb dhe vazhdimit të presionit institucional ndaj të gjithë atyre që qëndrojnë pranë popullit të tyre dhe mbrojnë të drejtën për mbijetesën e tij”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe./gazetametro.net