Loading…

Prokuroria nis hetimet ndaj Bashkësisë Islame: Me tonelata mish të prishur janë shpërndarë qytetarëve

  • 22/08/2019 | 20:08

Prokuroria nis hetimet ndaj Bashkësisë Islame: Me tonelata mish të prishur janë shpërndarë qytetarëve

28 krerë kafshë të therura, është sasia e radhës e mishit të Bashkësisë Islame të Kosovës të cilën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka vlerësuar si të rrezikshëm për konsumim.

Inspektorët e AUV-it kanë bllokuar këtë sasi mishi, e cila gjendet në thertoren e shfrytëzuar nga BIK-u në Istog, raporton KTV.

Sipas AUV-it, të premten pritet që edhe kjo sasi të asgjësohet.

Sipas Lamir Thaqit, zëdhënës i AUV-it thertorja në fjalë është e licencuar dhe i plotëson kushtet higjienike dhe sanitare për therje të sigurt.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetime për prishjen e sasisë së mishit prej 21 mijë kilogramësh dhe deklarimeve se një pjesë e këtij mishi është shpërndarë te qytetarët.

“Patjetër që do të merremi me këtë rast, hetimet kanë nisur. Është rast serioz sepse bëhet fjalë për tonelata. Për këtë rast është caktuar prokurori Hivzi Bajraktari”, ka thënë për KTV-në, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Themelores në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Gjatë së enjtes, BIK-u ka reaguar përmes një komunikate për medie. Aty thuhet se kur është kuptuar shqetësimi për mishin e prishur në depon në Prishtinë, është ndërprerë shpërndarja si dhe është tërhequr mishi i shpërndarë.

“Me të marrë këtë shqetësim, kryesia e BIK-ut fillimisht ka ndërprerë shpërndarjen, e më vonë ka bërë edhe tërheqjen e mishit që ishte shpërndarë. Kryesia e BIK-ut njofton opinionin se sasia tjetër e mishit është e sigurt dhe pritet që shpejt të arrijë në Kosovë dhe në bashkëpunim me institucionet kompetente, do t’u shpërndahet kategorive sociale. Kryesia e BIK-ut sqaron për besimtarët që kanë porositur kurbane në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të gjetjeve do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla”, thuhet në përgjigjen nga BIK-u.

Në komunikatën për media, Bashkësia Islame bën të ditur se aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari ku janë therur 1150 krerë lopë, dhe një në Istog ku janë therur 241 krerë lopë. Sipas BIK-ut, mishi i asgjësuar dje i përkiste një sasie të mishit të therur në Istog.

Sipas AUV-it, edhe inspektimi në thertoren në Istog është bërë me kërkesë të BIK-ut.

Zëdhënësi i kësaj agjencie ka konfirmuar se depoja e kontraktuar nga BIK-u në Prishtinë nuk është licencuar nga agjencia.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë