Loading…
Prokuroria Speciale fillon hetimet për tenderin multimilionësh
  • 18/04/2019 | 12:42

Prokuroria Speciale fillon hetimet për tenderin multimilionësh

Dhënia e tenderit rreth 100 milionë eurove për ndërtimin e autostradës A7 u bë publik në ditën e fundit të qeverisjes së kryeministrit, Isa Mustafa në vitin 2017. Më pas në qeverinë Haradinaj u ndërruan kompanitë kontraktuese dhe të njëjtat filluan punën. I gjithë procesi tenderues po konsiderohet si i dyshimtë.


Në dhjetor të vitit 2017, është nënshkruar kontrata për tetë lote (pjesë) për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit e quajtur si Autostrada A7. Kontratat e nënshkruara kapën vlerën fiks 88,618,511.95 euro.

Fillimisht, procedurat tenderuese u përgatitën nën qeverisjen e Isa Mustafës, ku edhe u shpallen fituesit. Por, me të ardhur në pushtet qeveria Haradinaj, tenderi shkoi në rivlerësim, dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit u ndërruan kompanitë.

Prokuroria Speciale e Kosovës po dyshon se i gjithë procesi tenderues i bërë në dy qeveritë ka qenë i manipuluar, andaj ka nisur hetimet. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ai ka thënë se Prokuroria është në fazën e grumbullimit të fakteve.

“Ju informojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është në fazën e grumbullimit të informatave lidhur me këtë çështje. Për shkak se jemi ende në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna tjera”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Mësohet se pos dyshimeve për manipulim të tender, po dyshohet se kundërligjshëm është bërë edhe formimi i njësive implementuese për autostradën. Po ashtu, pas nënshkrimit të kontratave, dy kompani nga Shqipëria janë tërhequr nga gara dhe ua kanë shitur punën kompanive tjera.

Zyra për informim e ministrisë së Infrastrukturës ka refuzuar të tregojë se cilat janë kompanitë nga Shqipëria që e shitën punën pasi fituan tenderin, pasi janë disa kompani të tilla që fituan me kompanitë vendore si konsorciume.

Shkeljet filluan në qeverinë Mustafa

Ministria e Infrastrukturës me të cilën ka udhëhequr, Lutfi Zharku, në ditën fundit të punës, kishte vendosur që të shpallte fituesit e tenderit për ndërtimin e Autostradës A7.1 – Kryqëzimi në Disnivel R6/R7.1 (Banullë) deri te Dheu i Bardhë (kufiri me Serbinë). Fituesit u bënë publik më 11 shtator 2017, ndërsa më datë 12 detyrën në këtë ministri e mori Pal Lekaj i AAK-së. Vlerësimi i këtij tenderi u bë duke tentuar të dëmtohet buxheti i shtetit për miliona euro, pasi me tender u shpërblyen kompanitë më të shtrenjta dhe disa nga to të afërta me LDK-në.

Lajmi.net kishte raportuar lidhur me shkeljet në këtë tender, ku disa ofertues kishin çmim shumë më të lirë se sa fituesit dhe arsyeja e eliminimit të tyre ishte bërë në kundërshtim më shkresat në dosjen e tenderit dhe të Ligjit të Prokurimit Publik.Tenderi ka qenë i ndarë në tetë lote (pjesë). Të gjitha lotet kapin shifrën rreth 100 milionë euro. Më pas 12 kompani janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit –OSHP, dhe pas vlerësimit prej rreth tri javëve ky institucion shoshiti 181 oferta dhe e urdhëroi MI-në që lënden ta kthejë në rivlerësim. Pas rivlerësimit ministria i ndërrojë kompanitë që i kishte shpallur ish-qeveria Zharku.

Kompanitë që u ndërruan

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. Pas rivlerësimit, del se “Autostrada e Gjilanit” do të kushtonte për rreth 11 milionë euro më lirë se sa ishte planifikuar nga qeveria paraprake. Por, edhe pas rivlerësimit autostrada do të kushtojë rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

Pas rivlerësimit nga MI-ja, fitues në pjesën e parë janë rekomanduar “Granit & Inginiering & Armendi Fa”, me ofertë 18 milionë e 468 mijë e 426 euro. Kompania e rekomanduar për kontratë pas rivlerësimit është për 2 milionë e 442 mijë euro më e shtrenjtë.

Për pjesën e dytë, pas rivlerësimit është rekomanduar “Gjoka Konstruksion” me një çmim prej 5 milionë e 906 mijë euro. Krahasuar me fituesin e shpallur në kohën e ministrit Zharku, (LOT II “Granit & Inginiering & Armendi” për 6,223,855.64 euro) është rekomanduar oferta për 317 mijë euro më e lirë.

Për pjesën e tretë është rekomanduar konsorciumi ‘Ndërtimi & Geci’ me çmim prej 6 milionë e 850 euro. Kurse, në vlerësimin e parë për kontratë ishte rekomanduar OE “RSM- Benita” për 5,131,393.81 euro.

Për pjesën e katërt, pas rivlerësimit është rekomanduar kompania që kishte një çmim më të lartë për 1 milion e 287 mijë e 100 euro. Për kontratë është rekomanduar OE “2A Group & Alko Impex & Ex-Fis & 2t” të cilët kanë ofertuar me 8 milionë e 700 mijë e 127 Euro. Kurse, herën e parë për kontratë ishte rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej për 7,413,027.70 euro.

Në pjesën e pestë për kontratë është rekomanduar,”Sallahu” me një çmim prej 21 milionë e 478 mijë e 937 euro. Pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë operatori “Eskavatori & Abad (Absic)” me një ofertë prej 17 milionë e 899 mijë e 684 Euro.

Pas rivlerësimit të pjesës së gjashtë për kontratë është rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej 11 milionë e 633 mijë e 267 euro. Kurse, herën e parë ishte rekomanduar kompania ‘Bejta & Bass’ për një shumë prej 18 milionë e 134 mijë e 701 euro.

Në pjesën e shtatë, pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë kompania “Al Trade Sh.P.K. & Salillari” me një çmim prej 7 milionë e 247 mijë e 86 euro. E në vlerësimin e bërë në muajin shtator për kontratë ishte rekomanduar kompania “Famis Co & Gjikura” me një çmim prej 9 milionë e 329 mijë e 872 euro.

Në pjesën e tetë, pas rivlerësimit është rekomanduar “Joos Krasniqi & Pevlaku” me një çmim prej 11 milionë e 913 mijë e 157 euro. Kurse, në muajin shtator, fitues i këtij loti ishte shpallur kompania “Demastion & Euro Kos’ me një çmim prej 15 milionë e 914 mijë e 317 euro.

Ndryshe, Prokuroria po dyshon se sikurse në herën e parë edhe pas rivlerësimit ka pasur shkelje nga ana e ministrisë dhe nga ana e OSHP-së.

Gjatësia e trasesë së Autostradës A7.1 e cila do të tenderohet (nga Kryqëzimi në Disnivel R6/R7.1(Banullë ) dhe mbaron në Udhëkryqin me rrugën Nacionale N25.2 ( Në Bresallc), është: 22.31km.

Më poshtë mund të shihni të gjitha lotet dhe ofertat:

 

Më të fundit
...
  • 20/05/2019 | 23:38
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë