Sot u promovuan dy vëllimet e “Antologji e dramës bashkëkohore në Kosovë”, botuar nga Qendra “Multimedia” me mbështetje të Bashkimit Evropian. Ceremonia e promovimit u realizua në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Dy vëllimet e sapobotuara përfshijnë krijimet e 16 autorëve, realizuar në 16 drama.
Vëllimi I përfshin:
“Parfumeria” nga Haqif Mulliqi
“Shfaqja e fundit” nga Fadil Hysaj
“Monedha e Gentit” nga Milazim Krasniqi
“Kafeneja në udhëkryq” nga Visar Krusha
“Gjashtë” nga Arian Krasniqi
“Bodrumi” nga Ilir Gjocaj
“Vrasja e Mushkonjës” nga Xhevdet Bajraj
“Gishti” nga Doruntina Basha
Ndërsa tek vëllimi II-të përfshihen këto drama:
“Aroma e hënës” nga Mehmet Kraja
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nga Jeton Neziraj
“Gruaja në dritare” nga Arta Arifi
“Binjakë siamezë” nga Ekrem Kryeziu
“Loja e pafund” nga Besim Rexhaj
“Hamleti sipas Horacit” nga Ag Apolloni
“Shkumësi” nga Naser Shatrolli
“Veriu” nga Agush Mulliqi.
Besian Rexhaj, një ndër të ftuarit në këtë promovim, u shpreh i gëzuar për këtë botim, që sipas tij është i një vlere dhe rëndësie të madhe. Tutje ai tha që do të duhej të kishte edhe antalogji të tjera si kjo, të cilat sipas tij, mund të vijnë qoftë nga përkrahja e institucioneve qeveritare, qoftë nga iniciativa e personave në Fakultetin e Arteve, apo institutet që merren me dramaturgji.
Panelisti tjetër, Arian Krasniqi, poashtu vlerësoi si shumë të nevojshëm dhe me vlerë botimin e “Antalogji e dramës bashkëkohore në Kosovë”, për krijuesit që shkruajnë dhe inskenojnë dramat e tyre, por edhe si përmbledhje e punës së krijuesve të ndryshëm të këtij zhanri.
Vlen të theksohet që të gjithë pjesëmarrësit që kanë dëshiruar të kenë kopjen e tyre të antologjisë, Qendra “Multimedia” ua ka dhënë falas. / GazetaMetro