Qumështorja “VITA” reagoi pas konferencës së ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke e akuzuar atë për qasje politike ndaj kompanisë dhe përpjekje për dëmtimin e imazhit të saj, transmeton Gazeta Metro.
Në reagimin e kompanisë thuhet se deklarimet e ministrit nuk e kanë ndryshuar atë që, sipas VITA-s, tregojnë rezultatet laboratorike. Kompania theksoi se vetë Muja ka konfirmuar se në mostrat e qumështit të saj nuk është evidentuar vaj palme.
“Siç u pa edhe sot, konferenca vazhdoi me të njëjtën qasje ndaj Qumështores VITA. Edhe këtë herë, Ministri u përpoq përmes deklaratave politike dhe interpretimeve të përgjithshme të njollosë VITA-n dhe qumështin e fermerëve të Kosovës. Por faktet nuk mund të ndryshohen me propagandë politike. Sot, vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme”, thuhet në reagimin e qumështores.
Kompania ka kërkuar që rezultatet zyrtare të analizave të bëhen të qasshme për publikun, duke thënë se kjo do t’u mundësonte qytetarëve të krijojnë vetë një qëndrim mbi rastin. Në këtë kuadër, VITA ka bërë të ditur se ka publikuar dokumentet e pranuara nga AUV.
“Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë: publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën. Prandaj, edhe një herë, më poshtë po i publikojmë analizat zyrtare të dërguara nga AUV, në mënyrë që secili qytetar t’i shohë vetë rezultatet. Nuk është turp të thuhet e vërteta. Edhe sot u pa qartë se fokusi i Ministrit ishte tërësisht vetëm te Qumështorja VITA. Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës. Dokumentet janë publike. Faktet flasin vetë”, thuhet tutje në reagim./gazetametro.net