Lëvizja Revolta ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste qytetare këtë të enjte, duke filluar nga ora 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, përballë objektit të Kuvendit të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Sipas njoftimit të organizatorëve, tubimi synon të adresojë, siç thuhet, çështje që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të protestës janë paraqitur tri kërkesa: publikimi i të dhënave për numrin e aplikimeve dhe shtetësive të fituara nga shtetasit e Serbisë në bazë të Ligjit për Shtetësinë, shfuqizimi i Ligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, si dhe shfuqizimi i nenit 155 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Kjo nuk është çështje partiake. Është çështje e sovranitetit, shtetësisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës. Bashkohu”, thuhet në thirrjen e kësaj lëvizje./gazetametro.net