Ishte ditë feste, dita e pavarësisë të vendit tonë të përbashkët. Asnjë lajm e asnjë foto dje në faqet e super klikuara të vendit, atë të Albinit dhe VV. PSE?
Shkruan: Pal Shtufi
Unë nuk dua t’i shtroj tani edhe disa pyetje tjera e as nuk dua ta hamendësoj të keqen që mund të fshihet prapa heshtjes ose “ditëzisë” së këtyre faqeve. Por, një gjë mund ta them me sigurinë më të madhe. Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, dje ishte e hapur dhe shumë e sinqertë me Albinin. Ajo nuk deshi të fshihte asgjë. Të gjitha në imtësi i publikoi, pa asnjë kompleks. Për faktin që ajo e solli Albinin të përkulej para varrit të Atit të kësaj Republike, Ibrahim Rugova, nuk u hetua asnjë grimë krekosje në fytyrën e saj të sinqertë përballë Albinit. Kjo sjellje kaq e vitytshme e Vjoses do duhej të vlerësohej nga ana e LVV. Ajo dje asgjë nuk bënte në emrin e saj e as për interesat e saj, por për kohezionin e Republkës tonë.
Në anën tjetër, Presidenti i shtetit, ia zgjati dorën Albinit e Vjosës dhe ky gjest ishte shprehje shumë pozitive e mbase edhe shpresëdhënëse për evitimin e ngatërresave që na tipizojnë.
Çdo gjest pajtues dhe çdo ngjarje pozitive që ndodhë në hapësirën tonë të ngushtë politike, duhet të bëhet lajm edhe për VV dhe ndjekësit e saj. Nuk ka asnjë arsye që platformat informative të LVV dhe ajo e Albinit ta heshtin apo ta fshehin dorëzgjatjen e Presidentit tonë dhe as përkuljen e Albinit para varrit të Presidentit historik, pos nëse prapa krejt këtyre ngjarjeve qëndron një hipokrizi që as toka nuk e duron.
Historia e Republikës tonë nuk ka filluar me 6 tetor 2019. Brenda kësaj historie, natyrisht që ka figura e protagonistë, të cilët mund të mos i pëlqejnë Albinit, Hashimit apo Vjosës, por e vërteta është se ato/ata ishin ose janë protagonistë dhe si të tillë duhet respektuar edhe atëherë kur personalisht mund të mos u përlqejnë. Sepse, në pushtet nuk jemi për shkakun tonë personal e as për shkakun që kemi një parti politike, por jemi për interesin e vendit dhe konform këtyre interesave duhet të sillemi.
“Ditëzia” e djeshme e platformave iformative të LVV ishin lajm i keq dhe i frikshëm për politikën dhe të ardhmen politike të këtij vendi. Të gjithë e kemi lexuar dje heshtjen, prandaj personalisht po u bëjë thirrje protagonistëve të heshtjes që ta mendojnë mirë intersin e këtij vendi sepse pa kohezion politik ne nuk mund të ecim para.
(Autor është publicist i njohur në Prishtinë dhe në Cyrih të Zvicrës. Artikulli është i shkruar enkas për Metro)