Nuk preferon të japë datë se kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke lënë në dorë të drejtuesve të partnerëve të koalicionit qeverisës një gjë të tillë. Por, shprehet tejet i bindur se pas zgjedhjeve të reja, kryeministër i ardhshëm, do jetë Kadri Veseli, për të cilin thotë se ka energjinë, vizionin, projektin dhe potencialin e nevojshëm për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Është ky Rexhep Hoti, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit zv.ministër i Kulturës i cili në një intervistë dhënë për tesheshi. com ngacmon paksa koalicionin qeverisës ku derisa flet për çështjen e Demarkacionit shprehet se “nuk ka qeverisje të mirë pa vendime të mëdha”.
Ndërsa flet edhe për për atë sa po ndryshon PDK në krye me Kadri Veselin, dhe sa mund t’ia arrinë kësaj kur afër vetës ka njerëzit e njëjtë që ka pasur Thaçi, pra Kuçin e Hoxhajn, ai thotë:
”Emrat si z.Hoxhaj e z.Kuçi, nuk janë emra që në një parti politike vjetërsohen në kuptimin e rotacionit demokratik. Të tillët brenda PDK që ka edhe nja dy-tre të tjerë, janë shtylla të fuqishme që e inspirojnë vazhdimisht monotoninë e kaheve politike në demokraci. Ata bëjnë pjesë te pjesa e filozofisë politike e PDK-së, e cila e bën të mundshme që brenda saj të rrjedhë vazhdimisht mendimi i ri politik. Të tillët janë të rëndësishëm në një subjekt politik edhe kur janë në parlament, në ekzekutiv apo vetëm në subjektin përkatës. Në këtë pikë dallon PDK, e cila ka mendim politik që është më i pjekur dhe më i avancuar se sa shumë parti e subjekte tjera rajonale e jo vetëm brenda një gare, të themi, brenda faktorit shqiptar në Ballkan. Freskimi i një partie me njerëz të ri tashmë është parim e standard i PDK-së”, tha ai.
Hoti u shpreh se kandidati i ardhshëm i PDK’së z. Veseli, pasi ai ka vizionin, projektin e potencialin e nevojshëm për të qenë në shërbim të qytetarëve.
”Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës është z. Veseli. Ai edhe do të bëhet Kryeministri i ardhshëm, sepse e ka energjinë, vizionin, projektin dhe potencialin e nevojshëm për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit. Me z. Veseli të gjithë do të kenë mundësi për vazhdime, fillime, rifillime e avancime të proceseve e të nismave individuale e grupore, private, publike e institucionale”, tha Hoti./gazetametro.net