Loading…

Pse nuk po liberalizohen vizat për Kosovën?

  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 15/09/2019 | 17:23

Pse nuk po liberalizohen vizat për Kosovën?

Liberalizimi i vizave është njëra nga çështjet më të përfolura në dekadën e fundit në Kosovë.


Shkruan – Shkodran Ramadani

Qysh në vitin 2011 Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, kishte premtuar se qytetarët e Kosovës do të lëviznin lirshëm nëpër zonën Shengen brenda pak muajve.

Më pas Kosova iu nënshtrua procesit të përmbushjes së kritereve teknike për liberalizimin e vizave.

Edhe pse Kosova ishte afruar në marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, saga e demarkimit të vijës kufitare me Malin e Zi e stërzgjati mungesën e një raporti të tillë.

Pas ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, Komisioni Evropian doli me një raport ku vlerëson se Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kushtet teknike për një gjë të tillë.

Në vizitën e tij në Kosovë në qershor të vitit të kaluar, Komisionari Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, kishte konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Mirëpo që nga ajo ditë ky raport pozitiv nuk ka qenë i mjaftueshëm që Kosova të merr liberalizimin e vizave.

Siç e do zakoni, tani që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, partitë kosovare do të mundohen që ta instrumentalizojnë çështjen e (mos)liberalizimit të vizave si temë për kapital partiak.

Një gjë e tillë çon gati pashmangshmërisht në shtrembërim të së vërtetës rreth kësaj çështjeje, me pak racionalitet të përfshirë në debate.

Siç dihet, Komisioni Evropian është organi i vetëm mbi-nacional që u jep rekomandime organeve vendimmarrëse për këtë temë, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Deri më tani rekomandimi pozitiv për Kosovën kaluar me shumicë votash vetëm në Parlamentin Evropian, ndërkohë Këshilli i BE-së është duke e shtyrë hedhjen e tij në votim.

Ndonëse nuk ka votuar kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, Këshilli i BE-së që përbëhet nga Ministrat e vendeve anëtare të BE-së, e ka mbajtur Kosovën jashtë agjendës së vet.

Deri në rastin e Kosovës, sa herë që Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, organet vendimmarrëse kanë votuar në përputhje me rekomandimin.

Megjithatë tani kjo është e pamjaftueshme sepse me forcimin e rrymave populiste dhe nativiste është zbehur edhe autoriteti i këtij institucioni.

Nëse shikohet platforma politike e partive të djathta për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, vërehet një ligjërim që flet shumë për çështje të sigurisë e më pak për mirëqenie, diversitet dhe liri të lëvizjes.

Vendet anëtare tani më shumë llogari u japin publikeve gjithnjë e më ksenofobike e më pak organeve mbi-nacionale që mbajnë Evropën bashkë në diversitetin dhe liritë e saj.

Kriza me migracion në vitet e fundit e ka armiqësuar mjedisin në Evropë që dikur ishte shumë mikpritës dhe e hapur për shumë më shumë njerëz.

Një qasje e tillë i portretizon njerëzit që vijnë nga jashtë BE-së si sulmues potencialë që pengojnë rendin e ligjin.

Ky trend ka dobësuar mekanizmat qendrorë të BE-së dhe ka forcuar pozicionet e shteteve të veçanta anëtare. Për pasojë, jo pak shtete kanë refuzuar të votojnë në favor të rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian.

Këtë e shohim edhe në refuzimin e vazhdueshëm të Komisionit Evropian që  t’i hapë negociatat për anëtarësim të Maqedonisë e Shqipërisë, përkundër rekomandimeve pozitive të Komisionit Evropian që një gjë e tillë të ndodhë.

Se përmbushja e kritereve nuk është më premisa udhëheqëse e BE-së tregon fakti se Kosova nuk qëndron substancialisht më keq sesa Shqipëria, Maqedonia, Bosnja e Serbia sa i përket korrupsionit e nepotizmit.

Moldavia në vitin 2014 ishte goditur nga një aferë e rëndë korruptive ku në pyetje ishin 1 miliard dollarë, apo 10% e GDP-së së vendit. Moldavia ka një ndër rekordet më të këqija në trafikimin e qenieve njerëzore në Evropë.

Bazuar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Moldavia është një nga vendet më të korruptuara në Evropë. Kontesti i hapur me rajonin e Transistrisë vetëm sa e bën më të rëndë gjendjen.

Megjithatë asnjëra nga këto nuk ishte pengesë që BE-ja të hiqte vizat për qytetarët moldavë.

Ukraina qëndron shumë më keq se Kosova në indeksin e korrupsionit, lirisë së shprehjes dhe transparencës. Ajo nuk i kontrollon kufijtë e vet me Rusinë nëpër të cilët hyjnë e dalin njerëz pa asnjë mbikëqyrje.

Ukraina është në kontest të hapur me Rusinë për Krimenë, megjithatë qytetarët e saj lëvizin lirshëm nëpër Zonën Shengen.

Gjeorgjia në anën tjetër ka probleme me krim të organizuar dhe grupet gjeorgjiane luajnë rol dominant në botën e krimit në shumë shtete perëndimore.

Ajo çalon në ushtrim të kontrollit efektiv në Oseti dhe Abkhazi, që kontrollohen nga Rusia.

Kolombisë, që është shumë larg Evropës, me afër 50 milionë qytetarë, në luftë civile me FARK-un, eksportuese globale e krimit, me kartele të drogës, armëve, i janë liberalizuar vizat në vitin 2015.

Që nga liberalizimi i vizave për Ukrainën më 2017, rreth 3 milionë ukrainas kanë përdorur lirinë e lëvizjes dhe asnjë dëm serioz nuk i është shkaktuar BE-së.

Ndërkohë Kosova numëron rreth 1.8 milion banorë, sa qyteti i Hamburgut. 5% e kosovarëve kanë pasaporta serbe, një pjesë e tyre pasaporta të Shqipërisë, kurse një tjetër të Maqedonisë.

Impakti do të ishte shumë i vogël në rast të ndonjë fluksi të mundshëm të kosovarëve drejt BE-së dhe në asnjë kalkulim racional kosovarët nuk përbëjnë rrezik destabilizues për BE-në.

Të gjitha këto tregojnë se Kosova më tepër është viktimë e mungesës së koherencës së brendshme në BE dhe e pranisë së kontradiktave të shumta rreth gati secilës temë brenda bashkësisë sesa e mënyrës si funksion shteti i Kosovës.

Gjendja aktuale tregon se vendimmarrja e vërtetë në BE është duke kaluar në mënyrë meteorike nga institucionet racionale të BE-së në duart e sentimenteve populiste.

Momentumi populist ka ndikuar që BE-ja prej qasjes së teknikaliteteve të kalojë kah sekuritizimi i kornizave me të cilat ajo konceptualizon Ballkanin Perëndimor.

Siguria e brendshme, mirgracioni e ekstremizmi tani janë fryma e kohës që dominon BE-në. Është ky “Populist Zeitgeist” ai që po e penalizon Kosovën në veçanti dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Shenjat ndërkohë nuk janë shumë shpresëdhënëse se gjendja në BE mund të ndryshojë për mirë.

(Autori Shkodran Ramadani, është kolumnist i rregullt dhe ky artikull është shkruar enkas për Gazeta Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë