Loading…

Pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Demokracive?

  • 09/11/2021 | 09:13

Pse nuk u ftua Kosova në Samitin e Demokracive?

Kush është ftuar e kush jo në Samitin për Demokracinë, të organizuar nga presidenti i Sheteteve të Bashkuara, Joe Biden?


Siç duket, ka shumë vende që kanë shprehur pakënaqësinë me listën e të ftuarve, të cilën fillimisht e ka publikuar e përditshmja amerikane, Politico, e cila pastaj i është konfirmuar edhe agjencisë së lajmeve, Reuters nga një zyrtar i lartë amerikan, i përfshirë në planifikim.

 

Sipas tij, ftesat u janë dërguar vendeve që kanë përvoja të ndryshme me demokracinë, dhe nuk ka të bëjë me etiketimin e një shteti nëse është demokratik apo jo.

Ky Samit do të mbahet virtualisht më 9-10 dhjetor dhe në të do të marrin pjesë liderë nga shumë vende të botës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe sektori privat.

Në listën e publikuar jozyrtarisht nga Politico, nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samit nuk është ftuar Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Lista e të ftuarve ende mbetet në nivel informacionesh jozyrtare.

Pse nuk u ftua Kosova?

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitetit në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës. Mes tjerash në përgjigje është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

Lidhur me mungesën e Kosovës në këtë Samit ka reaguar edhe opozita dhe njohës të çështjeve politike në Kosovë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë përmes një postimi në Facebook se mosftesa e Kosovës duhet të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me SHBA-në si rezultat i qeverisjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për mediat lidhur me këtë çështje.

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka pyetur po ashtu në Facebook se “si është e mundur që SHBA-të na shohin në Evropë si pjesë e një klubi joprestigjioz autokratësh anti-perëndimorë bashkë me Vuçiqin, Dodikun, Lukashenkon, Orbanin dhe Erdoganin?”

“Jam i bindur se nuk duhet të ketë qenë e lehtë për SHBA-në për t’ia bërë këtë gjë shtetit të cilin kanë ndihmuar ta krijojnë”, ka thënë Maliqi.

Megjithatë, sipas Reuters pjesë e Samitit do të jetë presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i cili në të kaluarën ka thënë se “nuk brengoset për të drejtat e njeriut” dhe presidenti indian, Narendra Modi, për të cilin organizata Freedom House, ka thënë se është duke e çuar Indinë drejt autoritaizimit.

Të dyja këto vende janë ftuar dhe do të diskutojnë për demokracinë paralelisht me Suedinë për shembull, ose edhe me vende tjera që kanë shkallë të lartë të zhvillimit demokratik.

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të ketë flitet për krahasime, e aq më pak të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Kosova, në mënyrë ironike, është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsion dhe krimin e organizuar. Dhe këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnje”.

Ai ka thënë se nuk e di nëse arsye për mungesën e ftesës është vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Në disa raste është përmendur edhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë – Serbi si një prej shkaktarëve që mund ta kenë nxitur përjashtimin e këtyre dy vendeve nga Samiti, por për zotin Joseph kjo pyetje nxit një tjetër…

“Pse nuk ka pasur pak përparim në këtë proces? Kjo kërkon më shumë sqarim”, ka thënë Joseph.

Sipas tij Kosova ka përmbushur standardin e kërkuar për demokraci, si dhe ka theksuar faktin që Kosova është vend me orientim të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Dhe kushdo që merr pjesë në këtë Samit, zotimet që vendet pjesëmarrëse duhet të marrin mbi vete priten të jenë ambicioze – përfshirë këtu edhe vendin nikoqir, Shtetet e Bashkuara.

Samiti shihet si një prej përpjekjeve kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden, për ta kthyer vendin në rolin e liderit global, për t’u përballur me Rusinë dhe Kinën./REL

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë