Loading…
Pse po personalizohen institucionet e shtetit
  • Nga

  • XHAVIT HALITI

  • 17/01/2019 | 11:05

Pse po personalizohen institucionet e shtetit

Përplasjet e institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri janë shndërruar në një luftë verbale. Personalizimi i institucioneve të shtetit është bërë emblemë e shqiptarëve, kohëve të fundit.

Shkruan Xhavit Haliti

Zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë kanë nxjerrë në pah një dukuri tepër të ngjashme: Në të dy shtetet ka një “përplasje” me karakter thellësisht politik mes presidentëve dhe kryeministrave aktualë. Janë katër figura politike konkrete, që kanë mes tyre njohje miqësore të hershme, që janë pozicionuar në pozicione të ndryshme dhe e kanë filluar “një luftë verbale”. Aktorët e kësaj shfaqjeje, me efekte negative e shqetësuese për opinionin mbarë shqiptar në Ballkan e më gjerë, kanë emra konkret dhe qëndrojnë në krye të institucioneve më të larta shtetërore në republikat tona parlamentare.

Në Kosovë dhe në Shqipëri është bërë evidente, gati njëkohësisht, kundërshtia edhe mediatike mes Presidentit dhe Kryeministrit. Arsyet e kësaj përballjeje mes tyre, që ndryshojnë në thelb nga njëra- tjetra, janë të njohura, siç mendoj se është i njohur edhe mospëlqimi i opinionit për gjuhën dhe epitetet e përdorura nga palët në këtë “përplasje”. Këto dukuri të ngjashme të “moskuptimeve dhe e mospajtimeve” mes figurave më të larta shtetërore në të dy vendet, dëshmojnë se: jo vetëm në Kosovë, (si shtet me moshë fare të re), por dhe në Shqipëri (shtet mbi njëqindvjeçar), ndërtimi i institucioneve, ndërveprimi i domosdoshëm në respekt të ligjit dhe në pushtet të ligjit, ende mungon. Edhe kur këto ekzistojnë faktikisht, (me Kushtetutë) shpesh dominohemi nga dukuri dhe veprime me rëndesë të ndjeshme autokratike.

Dihet që pluralizmi politik është fillesë dhe bazamenti i demokracisë. Krijimi, funksionimi dhe konkurimi mes programeve partiake dhe fushatave elektorale, me ose pa aleanca, çonë në marrjen e pushtetit përmes votës. Marrja e pushtetit është rezultat vetëm e vetëm i votës së elektpratit; pushteti shpërndahet dhe realizohet nga individë konkretë. Kjo dihet, kurdoherë politika vepruese është kompetencë dhe detyrim për t’u realizuar nga parti e nga individë. Por politika, sidomos materializimi i saj, është vështirë të realizohet sipas programeve, kur në realitet shpesh zbatohet vetautorësia nga këta individë që kanë marrë votën popullore. Fenomeni i “autokracisë” që në shqip përkthehet “vetëpushtet” është një fenomen i njohur njerëzor. Uni, është i gjithpushtetshëm për njeriun, që kur është ende fëmijë, por fuqizohet shumëfish në garën për pushtet. Uni, që bëhet inekzistent dhe nuk heziton të vetëflijohet për lirinë e vendit, për nderin apo dashurinë, ringrihet (për të mos thënë gërthet) kur i kërcënohet apo lëkundet pozita pushtetore. Personalizimi i pushtetit politik, i institucioneve të larta shtetërore apo dhe atij partiak, në realitetin aktual në Kosovë e në Shqipëri, në të dy anët e kufirit, jo vetëm po e “vret demokracinë”, por po dëmton rëndë ekzistencën e shtetit, funksionimin normal të tij dhe imazhin ndërkombëtar të dy shteteve tona sovrane në Evropë.

(Autori është bashkthemelues i PDK’së dhe Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë