Loading…

Pse Prokurori Special e hodhi tani ‘bombën’, që mbante në sirtar prej dy muajsh? Kosova i ka shpresat më të mëdha te SHBA

  • Nga

  • PREÇ ZOGAJ

  • 29/06/2020 | 11:20

Pse Prokurori Special e hodhi tani ‘bombën’, që mbante në sirtar prej dy muajsh? Kosova i ka shpresat më të mëdha te SHBA

Zyra e  Prokurorit Special  të Kosovës  ia doli të siluronte me  akuzat e tij kundër Presidentit Hashim Thaçi takimin e parë  historik në Shtëpinë e Bardhë  mes përfaqësuesve  më të lartë  të  Kosovës  dhe  Serbisë, organizuar nga i ngarkuari  i Presidentit Tramp, Richard Grenell.


Shkruan: Preç Zogaj

Ka shumë  hipoteza  përse Prokurori Special zgjodhi  këtë moment  për të   hedhur  “bombën”,  të cilën  e  mbante në sirtar prej  më shumë se dy muajsh. Për  më tepër, kur bëhet  fjalë për akuza  që  do të duhet  të  shihen  nga një gjykatës  paraprak, i cili  mund  të vendosë  t’i rrëzojë si të pabazuara pa i kaluar fare  për gjykim  me themel ose t’i kalojë duke i hapur rrugë ballafaqimit  në aulën e gjykatës  të mbrojtjes me akuzën. Që do të thotë se shpallja  e  tyre  mund të priste sa nuk është shprehur ende gjyqtari paraprak.

Një hipotezë është ajo se Prokurori veproi me nxitim  për të  ndaluar   faktorizimin  dhe “imunizimin”  e Thaçit  në një takim që   i përmbante  shanset  për të qenë historik,  qoftë edhe si  përurim i zhvendosjes  së dialogut  Kosovë-Serbi në  instancën me të  lartë të politikës botërore.  Me fjalë të tjera pikasi një rrezik se Thaçi po i shpëtonte, pra e kishte  vetëm më të dhe kaq.  Kjo  duket  e vogël në raport me  pasojën e goditjes dhe  rrëzimit  të një nisme të madhe amerikane. Akuzat  penale nuk ç ‘aktivizohen nga takimet. Marrëveshjet  politike nuk imunizojnë  asnjë politikan apo shtetar nga  drejtësia. Në SHBA nuk mund të kishte marrëveshje për  të amnistuar politikanët. Takimi  historik nuk mund të fluturonte kaq ulët.  Do  të kishte qenë diskredituese dhe e papranueshme për palën kosovare në radhë të parë.

Një hipotezë  tjetër, shumë  më e përhapur se e para, sheh në këtë që ndodhi   një skemë   që e ka me Presidentin  e SHBA-së, Donald Tramp, duke dashur t’i pamundësojnë atij një sukses që do ta përdorte  për kredite elektorale në fushatën për t’u rizgjedhur.  Në këtë rast i bie  që prokurori special  është vënë  me mjetet që kishte  nëpër duar në shërbim të kundërshtarëve  të  Presidentit Tramp  brenda dhe jashtë SHBA-së.  Të gjithë Presidentët  kanë patur e do të kenë kundërshtarë. Të gjithë  bëjnë politikë të jashtme edhe për imazh dhe vota. Ama, mbi  dosje që nuk mund t’i sajojnë aty për ty. Një marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe  Serbisë,  që  nënkupton mbylljen e një  historie të gjatë armiqësish e përplasjesh mes tyre,   është një  objektiv konstant i politikës  amerikane  në rajon. Ka qenë para zgjedhjes se  Presidentit Tramp  dhe do të jetë edhe pas tij, nëse nuk do të jetë realizuar. SHBA ka punuar e punon   gjithnjë për finalizimin   e investimit të saj  të madh politik, diplomatik dhe ushtarak në rajon. Ndaj edhe kjo, që duhej privuar Tramp nga një trofe eventuale në prag të zgjedhjeve  mund të  kuptohet  veçse si një meskinitet apolitik.

Disa shkojnë më larg dhe thonë se  silurimi i takimit  ka të bëj  me  protagonizmin amerikan dhe reflekton thellimin e ndarjeve mes vendeve  të BE-së dhe SHBA për çështjet e Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe për dialogun Kosovë-Serbi në veçanti. Sipas këtij versioni, prokurori special ka vepruar si një instrument i  palës europiane.

Cilado qoftë e vërteta,  deklarata e prokurorit  special me elementë  të  qartë të  një pamfleti politik  ka qëlluar në shenjë. Anulimi  i takimit të 27 qershorit  në Shtëpinë e Bardhë  është një  rast i humbur për Kosovën dhe besoj edhe për Serbinë. Në këtë moment,  është një dështim edhe  për organizatorin e takimit, zoti Grenell dhe stafin e tij ndihmës të Shtëpisë së Bardhë e Departamentit  të shtetit. Vështirë të mendohet se ata nuk kanë qenë në dijeni të kulisave kundër takimit të thirrur prej tyre.

Me rebuset e saj,  kjo ngjarje  ka ngritur shumë mjegull në lidhje  me zhvillimet e brendshme në Kosovë,  por edhe për agjendën e politikës së saj të jashtme. Elita politike kosovare është thirrur në një kauzë  të veçantë  mençurie  në këtë moment  për të mos  lejuar  boshllëk  në qeverisje  dhe për të mbajtur  fort  busullën e  orientimit euroatlantik të vendit. Politikanët  në Prishtinë  e dinë çfarë duhet të bëjnë. Ata që janë akuzuar  do të përballen me akuzat para gjykatës. Urimi që  të jenë të pafajshëm shkon krah për krah me besimin se akuzat e tmerrshme të ngritura kundër tyre  janë të pabazuara. Ndërkaq, Kosova nuk duhet të  ndrydhet apo ndalet. Elita politike kosovare nuk duhet të pushojë  se shërbyeri  prioritetet e  njohura të periudhës dhe ato strategjike,  duke bërë me kurajë të vetën, përkrah dhe në sintoni me  vendet aleate, më SHBA në radhë të parë.

Kosova i ka parë si komplementare nismat europiane  dhe amerikane të normalizimit të marrëdhënieve  të saj me  Serbinë. Nuk ka qenë puna e Kosovës të eksplorojë në nuancat  e politikave  që ndjekin aleatët e saj të mëdhenj perëndimorë.  Dhe as në interferimet  apo edhe përdorimin në momente të caktuara  të çështjes së saj në funksion  të   agjendave politike elektorale të  liderëve perëndimorë. Busulla e Kosovës  janë demokracia,  zhvillimi, integrimi në BE dhe NATO. Përfaqësuesit e saj  të zgjedhur bëjnë mirë që  shkojnë  me respekt dhe pa paragjykime në çdo tryezë  të thirrur nga aleatët. Sa herë t’i thërrasin. Natyrisht,  duke  e ditur- e kush nuk e di!- se kumbari i madh i lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit  të  Kosovës  janë SHBA. Pa SHBA nuk do të kishim  Kosovë të lirë.

Dialogu i ndërmjetësuar  nga Brukseli  ka ngrirë prej dy vjetësh ndoshta për  një arsye me të thellë se sa ato që thuhen zakonisht: BE, së paku deri sot,  nuk është vete e qartë se ku kërkon të dalë. Ndaj ka qenë dhe është pritshme që  në një pikë të caktuar dialogu  të xhirojë  në boshllëk. BE nga ana tjetër  nuk e  ka mbajtur fjalën për  t’u dhënë qytetarëve të Kosovës  të drejtën e lëvizjes pa viza në vendet e zonës  Shengen. Ky qëndrim  është fyes  për ta  deri në palcë.

Sidoqoftë, Kosova nuk është zhbalancuar  t’u kthejë  krahët apo të refuzojnë nismat europiane.  Por  shpresat e mëdha i ka te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo jo thjesht sepse SHBA ka bërë më shumë se askush për Kosovën dhe Shqipërinë. Por edhe për faktin se Uashingtoni ka treguar kurdoherë efikasitet të madh në krahasim me kryeqytetet politike të Europës për zgjidhjen e  konflikteve dhe problemeve në rajon. SHBA janë fuqia e madhe. SHBA kanë plan, ia dalin. Edhe  vetë Serbia  ka arsye t’i ketë  varur shpresat  te SHBA për arritjen e një  marrëveshjeje me Kosovën.

Kosova as ka dashur, as e imagjinon të jetë  një sanduiç mes SHBA dhe BE-së. Dilema me SHBA apo me Europën,  nëse  do të shtohej çështja, ka lindur e zgjidhur. SHBA është e para për Kosovën dhe Shqipërinë. Sot më shumë se dje.

(Autori është analist i njohur politik.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë