Skuadra e Paris Saint-Germain është raportuar se ka arritur marrëveshje me trajnerin e saj, Mauricio Pochettino, për ndërprerje para kohe të kontratës. Kjo do t’i kushtojë klubit në total prej 10 milionë eurove në kompensim, transmeton Gazeta Metro.
Mauricio Pochettino ka kohë që raportohet se nuk do të jetë më trajner i PSG’së, me bisedimet të cilat thuhet se ishin zvarritur kohët e fundit, sepse kampionët e Francës kërkonin të ulnin shumën që ai do të merrte.
Por, në fund është arritur kompromisi me Pochettinon dhe stafin e tij të cilët u përpoqën të mbanin të gjitha pagat e tyre për vitin e fundit të kontratave të tyre.
Siç raporton mediumi francez, L’Equipe, zyrtarizimi i largimit të argjentinasit pas 18 muajve nga PSG do të bëhet këtë të enjte dhe tani do të hapë derën për trajnerin e Nice, Christophe Galtier, i cili do të marr detyrën.
Kujtojmë që me Galtier ishte raportuar se javën e kaluar drejtuesit e skuadrës franceze kishin arritur marrëveshje për një kontratë dy vjeçare dhe ai do të largohet nga Nice vetëm pas një viti. /gazetametro.net