‘UEFA mbështet terrorizmin’, kështu shkruante në një prej posterave të vendosur në Stemën e Shtetit të Kosovës në Konsullatën në Danimarkë, nga huliganët serbë, shkruan Gazeta Metro.
Janë publikuar disa fotografi të dëmeve që ndodhen sot në këtë Konsullatë, pas një sulmi të huliganëve e banditëve serbë.
Për sulmin ndaj Konsulaltës së Kosovës në Danimarkë, ka reaguar Ministri në Dorëheqje i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Ai me këtë rast ka dënuar këtë veprim qyqar që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore.
“Ne jemi duke punuar me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Sulmet e vazhdueshme të huliganëve serbë kundër ambienteve diplomatike dhe konsullore të Kosovës tregojnë vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë, e cila ende nuk dëshiron të kuptojë se që 11 vjet në Ballkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës. E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe, serbët me sa duket i kanë vendosur këta postera si pakënaqësi e pranimit të Kosovës në UEFA./gazetametro.net