Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka prezantuar para mediave fotografi dhe video për artilerinë e përdorur nga grupi terrorist për sulmin e para një jave në Banjskë të Zveçanit.
Ai tregoi edhe fotografi të predhave që tha se “janë të prodhuara në vitin 2023 në Serbi”.
Hoxha tregoi edhe se si nisi sulmi, duke prezantuar edhe dy video.
“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e sulmit ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Nuk u sulmua Policia Speciale, por patrulla policore e rendit publik. Jemi ballafaquar me kritika se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha.
Drejtori i Policisë tha se në vrasjen e rreshterit të Policisë, Afrim Bunjaku u përdor një minë.
Ai gjithashtu ka prezantuar edhe momentin e sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku.
“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist”, u shpreh ai.
“Vrasja e tij ka ndodhë me detonim të minës anti-këmbësorike të detonuar nga afërsia, me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist së pari. Pastaj kanë vazhduar sulmet direkte me raketahedhës nga pozicionet në dhe afër Manastirit, diku 300-400 metra vijë ajrore nga vendi ku është vrarë rreshter Afrimi”, tha ai.