Ndonëse më shumë se një vit vendi gjendet në një krizë politike, deputetët e Kuvendit të Kosovës duket që “nuk i kanë ndalë” punët, madje aq shumë sa u është dashur edhe ndonjë asistent personal shumicës prej tyre, transmeton Gazeta Metro.
Më shumë se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë janë me zyrtarë të lartë personal, 15 nga 22 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë shfrytëzuar të drejtë, pesë nga 14 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë asistente dhe pesë sosh nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), raporton Gazeta Insajderi.
Nga partia në pushtet emra si: Rozeta Hajdari, Agim Bahtiri, Adriana Matoshi, Egzon Azemi, Taulant Kelmendi e Valon Ramadani kanë marrë asistentë personal.
Në Partinë Demokratike të Kosovës të drejtën për asistentë e kanë shfrytëzuar Bedri Hamza, Enver Hoxhaj, Arian Tahiri, Rrahman Rama, Ganimete Musliu, Sala Jashari e të tjerë, ndërsa në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), asistentë kanë angazhuar në Kuvend Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Fadil Hadërgjonaj dhe Janina Ymeri./gazetametro.net