Mosrespektimi i kontratës mes Telekomit dhe MVNO’s, Z-Mobile, i kushtoi ndërmarrjes publike 30 milionë euro, dënim ky që u vendos në Gjykatën e Arbitrazhit. Mënyrat se si do të paguhet njëri nga dëmët më të mëdha ekonomike të Telekomit, solli reagimin e sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Sindikata e punëtorëve të Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje, që në asnjë mënyrë të mos prekë pagat e punëtorëve për të shlyer dënimin nga vendimi i fundit i arbitrazhit.
Kryetari i sindikatës, Lamih Balaj, ka thënë se më nuk do të lejojnë të dëmtohen punëtorët, siç ka ndodhur kohë më parë dhe se këtë dëm duhet ta paguajnë vetë ata që e sollën në këtë gjendje Telekomin.
I njëjti nuk ka përjashtuar edhe veprime të tjera për të mos lejuar prekjen e pagave.
Drejtori i Telekomit, Agron Mustafa, e ka pranuar se pagesa e kësaj gjobe nga ana e ndërmarrjes publike do të prekte pagat e tre mijë punëtorëve të Telekomit.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka pohuar se 30 milionëshi i humbur në Arbritrazh mund të sjell edhe bankrotimin e Telekomit.