Bashkimi Evropian ripërsëriti kundërshtimin ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke vlerësuar se ato janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të vendit, transmeton Gazzeta Metro.
Qëndrimin e BE-së e ka ritheksuar të martën zëdhënësi Christian Wigand, i cili u pyet edhe për çështjet juridike që lidhen me kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Dhomës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara.
I pyetur se si mund të funksionojnë dy organe që interpretojnë Kushtetutën e Kosovës, Wigand tha se përgjigjja e tij do të përqendrohej te qëndrimi politik i Unionit, ndërsa për çështjet më të hollësishme juridike sugjeroi kontaktimin e ekipit përkatës të BE-së.
“Dhe do të ishim të gatshëm të shqyrtonim, nëse do të kontaktoni ekipin tonë për një bisedë pak më të detajuar në prapaskenë, nëse ka ndonjë gjë më shumë që mund të themi lidhur me aspektet ligjore që po ngrini. Por mendoj se qëndrimi ynë për Dhomat e Specializuara është shumë i qartë. Bashkimi Europian ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, që funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i garantuar në Kushtetutën e Kosovës”, tha Wigand.
Ai më pas rikujtoi qëndrimin e publikuar më herët nga Bashkimi Evropian lidhur me ndryshimet ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës.
“Dhe më lejoni të përsëris gjithashtu atë që kemi thënë dhe që është publikuar në deklaratën e zëdhënësit: natyrisht, ligji i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, që ndryshon dhe plotëson ligjin ekzistues, bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Europian”, deklaroi ai.
BE-ja e kishte shprehur këtë qëndrim edhe pas miratimit të ndryshimeve në Kuvend, duke riafirmuar mbështetjen për Dhomat e Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor.
Ndërkohë, çështja e kompetencave kushtetuese dhe raportit ndërmjet institucioneve gjyqësore mbetet në qendër të debatit të ngritur pas ndryshimeve të miratuara në legjislacionin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara./gazetametro.net