Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ka shënuar ditën ndërkombëtare të korrupsionit me një aktivitet para Qeverisë së Kosovës.
Një kub në formë qelie, është vendosur në sheshin “Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë. Por edhe figura në formë të peshqve, e pankarta me deklarata të presidentit, kryeparlamentarit e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
YIHR thotë se të gjithë personat që kanë përmendur në këtë aktivitet dhe ky sistem i korruptuar ka shtrirje në qdo segment institucional. E duke pasur parasysh këtë Albert Selimi nga YIHR tha që kanë vendosur qelinë për të treguar nevojën e burgjeve për të pasur të gjykuar për afera korruptive.
Krejt ky aktivitet sipas Selimit paraqet situatën kundërthënëse që është duke ekzistuar aktualisht në diskursin politik dhe në sistemin e drejtësisë.
“Për sa i përket dukurisë së korrupsionit nivelit si dhe shtrirjes së tij në çdo segment institucional shoqëror edukativ, shëndetësor dhe ekonomik. Në njërën anë Kosova është vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon dhe në Evropë, ndërsa në anën tjetër ne kemi një sistem gjyqësor që është i ngathët, joefikas dhe pavullnet për të kryer detyrat e tyre në hetimin dhe gjykimin e personave, zyrtarëve dhe grupeve të krimit të organizuar të cilët janë të dyshuar për afera korruptive”, ka thënë Selimi.
Aty u përmendën edhe deklaratat e presidentit, të prokurorëve dhe të kryeministrit, të cilat Selimi i cilësoi si proreklamime. Ndërsa në anën tjetër sipas tij ata po veprojnë me afera korruptive.
“Ju do të shihni kur kryeministri proreklamon se do ti largojë nga institucionet zyrtarët e korruptuar, ndërsa zyrtarët e partisë së tij, të cilët janë të dyshuar për korrupsion, mbajnë pozita të larta në këto institucione”, tha Selimi.
Ky i fundit nuk la pa përmendur edhe fjalët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për ç’rrënjosjen e korrupsionit, përderisa kolegët e tij partiak po gjykohen për korrupsion dhe po mbajnë pozita të kryetarëve të komunave./gazetametro.net