Shumica e adoleshentëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë ndërmend t’u binden kufizimeve të reja për përdorimin e rrjeteve sociale gjatë natës, të cilat pritet të zbatohen nga pranvera e vitit të ardhshëm.
Një sondazh i Censuswide tregon se rreth 85% e të rinjve nga mosha 16 deri në 18 vjeç planifikojnë ta çaktivizojnë funksionin që bllokon qasjen në platformat sociale nga mesnata deri në orën 06:00. Shumë prej tyre thonë se duan të mbajnë kontakt me familjen dhe miqtë ose të ndjekin përmbajtje në internet, ndërsa një pjesë synon të përdorë VPN për t’i anashkaluar kufizimet.
Rregullat e reja të qeverisë britanike parashohin gjithashtu çaktivizimin automatik të funksioneve si “scroll”-i i pafund, nisja automatike e videove dhe rekomandimet e personalizuara për përdoruesit 16 dhe 17 vjeç.
Ekspertët vlerësojnë se masat mund të kenë efekt të kufizuar, pasi një numër i madh i të rinjve pritet t’i shmangë ose t’i çaktivizojë ato.