Qeveria e Republikës së Kosovës sot në mbledhjen e rregullt të saj ka aprovuar dokumentin më të rëndësishëm strategjik të fushës së arsimit, që përcakton rrugën e qartë që do të ndjekë sistemi i arsimit në pesë vitet e ardhshme.
Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, është në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe përfshinë masat që kanë të bëjnë me rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukimin parashkollor dhe parafillor, rritjen e kualifikimit dhe përgatitjen e mësimdhënësve, përmirësimin e relevancës së ofrimit të shkollimit për kërkesat e tregut të punës, si dhe forcimin e mekanizmave të llogaridhënies përmes vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, inspektimit dhe testeve të jashtme.
Shtyllat kyçe të këtij plani janë: cilësia, gjithëpërfshirja dhe llogaridhënia.
“Ne kemi obligim të ndërtojmë një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse duam që Kosova të jetë një shoqëri e cila zhvillimin e vet e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që i bëjnë të punësueshëm, si në vend ashtu edhe jashtë tij. Prandaj, plani parasheh zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca, t’i pajisim shkollat me teknologji të informacionit dhe mjete të konkretizimit, ta përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore dhe, mbi të gjitha, ta përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit. Ndërkaq, në arsimin e lartë fuqizimin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë, duke i zbatuar me përpikëri kriteret dhe procedurat e akreditimit, por edhe duke i ndihmuar institucionet e arsimit të lartë që t’i përmbushin standardet e cilësisë”, thuhet në komunikatë.
“Miratimi i Planit Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, paraqet veprim konkret të Qeverisë së Kosovës, për t’i dhënë përgjigje edhe rezultateve të Vlerësimit Ndërkombëtar PISA 2015, të cilat i kemi prezantuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa brenda këtij muaji MASHT do të prezantoj Planin e Veprimit për adresimin e sfidave për ngritjen e nivelit të cilësisë në reflektim edhe të rezultateve të këtij procesi”, thuhet në njoftim.
Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë 2017-2021, do të botohet dhe shpërndahet tek të gjithë akterët, për të kontribuar në zbatimin e tij dhe bërjen realitet të vizionit që përmban ky plan.