Qeveria e Kosovës ka demantuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, i cili ditë më parë ka thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut.
Sipas ekzekutivit, qysh në takimin e parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri Albin Kurti, ka dhënë propozimin për reciprocitet biletaral edhe për çështjen e pakicave.
“Qeveria e Republikës se Kosovës e konsideron çështjen e pakicave shqiptare në Serbi si ndër më të rëndësishmet në raport me Serbinë”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Kjo është dëshmuar qysh nga takimi i parë i nivelit të lartë, ku Kryeministri Kurti ka dhënë propozimin për reciprocitet biletaral edhe për çështjen e pakicave. Ndërkaq, në takimin e dytë të nivelit të lartë Kryeministri Kurti i dhuroi presidentit Vuciq librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu
Çështja e shqiptarëve në Serbi ka thënë se është përmendur disa herë edhe në takime të kryenegociatorëve, në rrethana të ndryshme.
“Ndër të tjerash, me z. Lajcak është trajtuar çështja e diskriminimit në punësim të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me theks në sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë, atë gjyqësor dhe polici, për çka kemi marrë edhe përgjigje zyrtare nga z. Lajcak, dhe edhe kemi pasur një telefonatë me kryetaren e Preshevës Ardita Sinani në zyrën e tij”.
“Më tej, në takimin e katërt të nivelit të kryenegociatorëve, Zëvendëskryeministri Bislimi ka ngritur çështjen e transferimit të mjeteve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pas vështirësive në ekzekutimin e transferit bankar prej 100 mijë euro për banorët e Preshevës, ndonëse vështirësi të njëjta nuk ka qeveria e Serbisë në drejtim të serbëve që jetojnë në Kosovë. Delegacioni i Kosovës ka insistuar për nevojën që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për të transferuar mjete, e cila më pastaj edhe është gjetur falë një dakordimi me z. Lajcak”.
Kryeziu në fund theksoi se duke pasur parasysh qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që tema të reja nuk do të hapen për negocim pa u dakorduar për kornizën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, tema shtesë për negocim në këtë drejtim nuk janë hapur.