Loading…
Qeveria dhe komunat planifikojnë buxhet më shumë sesa që mund të shpenzojnë
  • 12/04/2019 | 16:03

Qeveria dhe komunat planifikojnë buxhet më shumë sesa që mund të shpenzojnë

Shpenzimet kapitale, të cilat planifikohen në buxhetin vjetor nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga komunat, kanë rëndësi të madhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët e Republikës së Kosovës. Por, në vazhdimësi realizimi i këtyre shpenzimeve është përcjell me vonesa, pavarësisht planifikimeve paraprake.


Kategoria e shpenzimeve kapitale, sipas statistikave nga Raportit Vjetor Financiar të Ministrisë së Financave, vetëm 85 për qind e buxhetit të ndarë nga Qeveria e Kosovës për investime kapitale është realizuar në periudhën 2016- 2018

Duke e parë realizimin e shpenzimeve kapitale në tre vitet paraprake mund të vlerësohet se kanë mbetur disa projekte pa u realizuar nga të dy nivelet qeverisëse në vend.

Se shpenzimet kapitale nuk realizohen sipas planeve të parapara tregon edhe rruga magjistrale e cila lidhë Komunën e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë me Prishtinën, që ka nisur më 2009 ende nuk është përfunduar, përkundër që ka qen pjesë e projeksioneve buxhetore.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza ka thënë për Telegrafin se si Qeveri i kanë kushtuar rëndësi realizimit të shpenzimeve kapitale. Sipas tij, Kosova ka nivel të lartë në ekzekutimin e shpenzimeve kapitale.

“Në total, në të dy nivelet, lokal dhe qendror, me ligjin e buxhetit të vitit 2016 kanë qenë të planifikuara 527,741,676 euro për investime kapitale, 2016 janë ekzekutuar 449,147,000 milionë euro. Më 2017 janë planifikuar 524,609,089 euro, janë ekzekutuar 471,098,000 milionë euro, në vitin 2018 kanë qenë të planifikuara 673,546,963 euro, janë ekzekutuar 533,064,000 milionë euro. Ndërsa në vitin 2019 janë të planifikuara mbi 788,800,000 euro, çka do të thotë se ende jemi duke i mbajtur shpenzimet kapitale në nivelin më të lartë në rajon brenda buxhetit’ tha për Telegrafin këshilltari në Ministrinë e Financave, Lulzim Rafuna.

Kategoria e shpenzimeve kapitale, sipas tij, përveç të hyrave të rregullta buxhetore, do të financohet edhe nga të hyrat e dedikuara, të hyrat vetanake, të hyrat e njëhershme, si dhe financimi nga huamarrja.

Mos plotësimi i planeve për shpenzimet kapitale, sipas Rafunës bie mbi organizatat buxhetore, pasi që ato kanë përgjegjësi edhe për ekzekutimin e projekteve.

“Ekzekutimi i projekteve është nen përgjegjësinë e organizatave buxhetore, te cilat marrin ndarje buxhetore përmes ligjit të buxhetit të aprovuar në Kuvend. Ministria e Financave përgatit buxhetin, e dërgon në Qeveri dhe Kuvend në momentin që aprovohet e tërë përgjegjësia për shpenzim bie mbi organizatat buxhetore”, tha ai.

Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë për Telegrafin se më nuk do të ketë vonesa për realizmin e investimeve kapitale siç është zgjerimi i Rrugës Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë. Deri më tani kjo rrugë ka përfunduar nga Prishtina deri në Stanovc të Vushtrrisë.

Vonesa në vitet paraprake ka pasur edhe në rrugën që e lidhë Pejën me Prishtinën, por tash punimet në rrugën Kijevë – Zahaq, pritet në përfundojnë brenda tri viteve dhe do t’i kushtojnë buxhetit rreth 155 milionë euro.

“Segmenti i parë ‘Gojbule – Smrekovnicë’ është kontraktuar në vitin 2018 dhe punimet kanë filluar në qershor të viti 2018 afati për realizimin e punimeve sipas kontratës është 24 muaj. Segmenti i dytë ‘Lum Madh –Gojbule’ është kontaktuar në dhjetor të viti 2018 dhe punimet kanë filluar në janar të viti 2019 afati për realizimin e punimeve sipas kontratës është 24 muaj. Segmenti i tretë ‘Smrekovnicë – Mitrovicë’ është punuar projekti detal dhe pritet të fillojnë procedurat e tenderimit”, ka treguar Fillojetë Konjuhi, zyrtare e Lartë për Media në Kabinetin e ministrit Pal Lekaj.

Sipas saj, kostoja e të dyjave segmenteve do të jetë mbi 38 milionë eurove.

Konjuhi ka thënë se buxheti për këto projekte nuk shpenzohet në linja të tjera buxhetore edhe nëse ka vonesa në realizimin e punimeve. “Të gjitha projektet që i kanë fondet nga huamarrjet janë të ratifikuara në kuvend dhe buxheti i tyre ruhet vetëm për realizim të tyre”, tha Fillojetë Konjuhi, zyrtare e Lartë për Media në Ministrinë e Infrastrukturës.

Por, organizatat që merren me hulumtimin e realizimit të projekteve nëpër komuna tregojnë se edhe të shpenzimet kapitale ato kanë ngecje.

Se komunat kanë ngecje në realizimin e shpenzimeve kapitale, tregojnë edhe statistikat e pasqyrave vjetore financiare të vitit 2018, ku sipas këtyre statistikave më se keqi qëndron Komuna e Zveçanit dhe ajo e Prishtinës. Zveçani i ka realizuar vetëm 39 për qind shpenzimet kapitale në vitin 2018, kurse Komuna e Prishtinës, ka realizuar shpenzimet kapitale në masën prej 43 për qind.

Analisti i Politikave në Institutin GAP, Berat Thaqi tha për Telegrafin se gjatë vitit 2017 komunat kanë realizuar vetëm 75 për qind të shpenzimeve kapitale të planifikuara.

“Përveç mungesës së kapaciteteve profesionale, vonesa në shtyrjen e investime kapitale shkakton edhe mungesa e realizimit të planit për të hyra vetanake. Për shembull, nga tatimi në pronë, si një nga burimet kryesore të të hyrave vetanake komunale, komunat e kanë mbledhur vetëm 43 për qind të të hyrave të faturuara”, ka thënë Berat Thaqi.

Kurse, Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka thënë për Telegrafin se mos realizimi i shpenzimeve, mund të jetë përveç mos planifikimit të duhur edhe për shkak të procedurave të prokurimit.

“Sigurisht nuk mund të konkludojmë me saktësi arsyet prapa mos realizimit të shpenzimeve të planifikuara buxhetore, meqë një arsye mund të lidhet me mosplanifikim të duhur. Por arsye tjetër, mund të jenë edhe procedurat e prokurimit publik, më konkretisht me ankesat e operatorëve të pakënaqur ekonomikë, të cilat vonojnë vendimmarrjen në dhënien përfundimtare të ndonjë kontratë për punë publike apo për shërbime. Në rast se bëhet fjalë për planifikim jo të duhur dhe menaxhim jo të mirëfilltë, atëherë organizatat buxhetore duhet të angazhohen që të korrigjojnë praktikat e tilla”, tha Zeka.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës, për kategorinë e shpenzimeve kapitale në buxhetin e vitit 2019, ka paraparë rreth 790 milionë euro.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë