Loading…
Qeveria do të heqë dorë nga “Kosova e Re” nëse çmimi i energjisë rritet
  • 03/05/2019 | 08:57

Qeveria do të heqë dorë nga “Kosova e Re” nëse çmimi i energjisë rritet

Disa organizata joqeveritare në Kosovë në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimet se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas tyre, nëse jetësohet ky projekt, faturat e energjisë për konsumatorë do të rriten për 92 për qind, trasnmeton Gazeta Metro.


Sipas një analize të organizatave joqeveritare që merren me çështjet energjetike, thuhet se një familje në Kosovë aktualisht paguan mbi 18 euro në muaj për faturat e shpenzuara të energjisë, kurse pas furnizimit me energji nga termocentrali ri, kjo faturë do të arrijë në rreth 36 euro në muaj.

Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bazë të kontratës së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë fituese për ndërtimin e termocentralit “Contour Global”, rritja e çmimit të energjisë elektrike është e pashmangshme.

Kjo gjendje, sipas tij, do të pasojë pasi që kontrata e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kësaj kompanie, është shumë e shtrenjtë.

“Ne kemi vlerësuar që do të ketë ngritje të çmimit të rrymës deri në masë 92 për qind për qytetarët e Kosovës, që konsiderojmë se është jashtëzakonisht e lartë dhe e papërballueshme për ta. Përballueshmëria e çmimeve, mos të harrojmë se është pjesë thelbësore e sigurisë së furnizimit. Dhe kot qeveritarët thonë se me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, do të ketë sigurim të furnizimit me energji elektrik”, thotë Abazi.

Se çmimi i energjisë do të shtrenjtohet për 92 për qind, është publikuar nga Ballkan Green Foundation (BGF), Instituti për Studime të Avancuara GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës këto analiza i quajnë spekulime. Ata nuk e mohojnë faktin se çdo investim në sektorin energjetik mund të ndikojë në tarifa, por jo në nivelin e paragjykuar.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht askush nuk mund ta dijë apo paragjykojë se sa mund të rriten tarifat e energjisë elektrike.

Për të paraqitur ndikimin e kostos së termocentralit “Kosova e Re”, në çmimet e energjisë elektrike te konsumatori final, sipas Llukës, është vështirë të kalkulohet pa finalizimin e raportit financiar të marrëveshjes dhe pa i ditur kushtet e financimit përmes kredisë që do të marrë “Contour Global” nga Korporata e Jashtme Private e Investimeve e SHBA-së, e njohur më shkurtesën OPIC.

“Është shqetësues edhe jostabiliteti i këtyre analizave që i bën po e njëjta organizatë joqeveritare. E njëjta organizatë ka thënë se çmimi do të rritet për 50 për qind, pastaj 60 për qind e tash doli me 92 për qind. Kjo vjen si rezultat se çdo analizë që bëhet në këtë fazë, është një analizë spekulative për arsye se nuk e di askush dhe as ne, si Qeveri, se sa është çmimi i ndërtimit të termocentralit. Çdo analizë është duke u bërë me spekulime dhe duke u shfrytëzuar çmimi tavan si çmimi final, që absolutisht nuk mund të ndodhë”, shprehet Lluka.

Ndryshe, në bazë të kontratës së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë fituese, sipas ministrit Lluka, çmimi më i lartë i synuar për megavat do të jetë 80 euro.

Por, Dardan Abazi thekson se pas realizimit të projektit, çmimi i energjisë do të tejkalojë çmimin tavan të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

“Absolutisht, që kalohet edhe ky çmim. Në fakt, ende nuk dihet çmimi i saktë, i cili do të jetë, sepse ende është në procedurë të kryerjes së punëve deri në ndërtimin e tij. Mirëpo, ne kemi folur për një shifër minimale që mund të rritet çmimi i energjisë për qytetarët e Kosovës. Pasojat nga ky projekt do të jenë më të mëdha se sa vetë çmimi, mirëpo ne po insistojmë që të shfaqim këtë fakt që ka të bëjë me çmimin e energjisë elektrike, sepse kjo së pari u intereson qytetarëve të Kosovës”, thekson Abazi.

Por, ministri Lluka thotë se Qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga projekti nëse çmimi i energjisë kalon çmimin tavan prej 80 eurosh për megavat.

“Nëse çmimi shkon mbi çmimin tavan, ne do të tërhiqemi nga projekti për shkak të kostos së lartë dhe si rezultat, nuk do të ndodhë projekti. Pra, nuk do të lejojmë që çmimi tavan i pajtuar të tejkalohet nëse vijnë ofertat e shtrenjta, do të dalim nga ky projekt pa ndonjë kosto financiare”, deklaron Lluka.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është thënë se do të fillojë në pjesën e parë të këtij viti, por për shkak të procedurave të Korporata e Jashtme Private e Investimeve e SHBA-së, OPIK për sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për ndërtim, realizimi i projektit është shtyrë për disa muaj.

Termocentrali “Kosova e Re”, llogaritet të jetë investimi më i madh të huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh.

Ndryshe, Banka Botërore vitin e kaluar ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, edhe pse vite më parë kjo bankë ka premtuar ta lëshojë një lloj garancie të riskut, që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët. /gazetametro.net

Më të fundit
...
  • 20/05/2019 | 23:38
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë