Loading…

Qeveria e elefantëve dhe kampanja permanente

  • Nga

  • FITIM SALIHU

  • 09/02/2020 | 15:12

Qeveria e elefantëve dhe kampanja permanente

Qeveria e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike nuk është thjesht koalicion mes dy partnerësh qeverisës të çfarëdoshëm. Ky është një koalicion mes partisë së parë dhe asaj të dytë sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare të 6 tetorit.

Shkruan – Fitim Salihu

E, si mbas gjasës, do të jenë mu këto dy parti që do të kenë aspirata për të luftuar për vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që ato mbahen.

Pra, nuk kemi të bëjmë vetëm me dy share holders të qeverisjes, por me rivalët e drejtpërdrejt  për ta marrë primatin në zgjedhjet e radhës. Është një qeveri elefantësh, e dy më të mëdhenjve të 6 tetorit.

Në të njëjtën kohë, këto dy parti do “t’i thyejnë shtizat” edhe në nivel lokal dhe zgjedhjet e 15 marsit në Podujevë priten të jenë arena e parë e përplasjes mes dy partnerëve të koalicionit. Kurse, më pas, një vit e gjysmë më vonë, kjo pritet të ngjajë edhe në komunat e tjera, para së gjithash dhe mbi të gjitha në Prishtinë.

Rëndësia e Prishtinës për Vetëvendosjen dhe LDK-në nuk është vetëm në faktin e të qenit kryeqytet, por edhe në të qenit një hambar i madh votash i këtyre dy partive, me sa dëshmojnë tri-katër palë zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale. Për më tepër, dy emrat potencialë për kryekomunart e kryeqytetit nga të dy partitë e koalicionit në fakt janë kolegë ministra në Qeverinë Kurti.

Duke u nisur nga ky konstatim, atëherë është e parashikueshme që ky mandat qeverisës do të shndërrohet në një garë për marrje meritash dhe hedhje faji tej tek tjetri. Ministrat e që të dy partive do të mundohen që të marrin merita personale e partiake për të arriturat, tek që gabimet do të mundohen t’ia hedhin shoqi-shoqit. Pra, ky mandat qeverisës do të jetë edhe një para fushatë e gjatë elektorale.

Kjo ka filluar të duket që tani. Pra, shumë ministra të qeverisë së re po ndjekin metodën e fushatës permanente parazgjedhore, sidomos në rrjete sociale. Por, ky nuk është një fenomen i huaj në politikë dhe në shkenca politike.

Permanent campaigning, të bërit fushatë gjatë tërë mandatit, prore e më shumë po kthehet në modus operan ditë shumë politikanëve tej e mbarë botës.

Presidenti i 45-të amerikan, Donald Trampi, është shembulli më i famshëm që të gjithë mandatin e shndërron në fushatë përzgjedhjet e radhës. Posti i tij i komunikimit me publikun dhe përdorimit enorm të rrjeteve sociale, në fakt Trampi që në javën e parë të ardhjes në Shtëpinë e Bardhë e krijoi komitetin e fushatës për rizgjedhjen e katër viteve më pas.

Sado që Trampi e ka nxjerrë kampanjën permanente në një nivel krejt tjetër, një gjë të atillë e kanë bërë edhe pararendësit e tij. Ish-sekretari i Shtypit në presidencën e Bushit të ri në kujtimet e tij thoshte se administrata e Bushit vepronte me një mentalitet të kampanjës permanente, gjersa Robert Rajhu e cilëson te ish-presidentin Bill Klinton si president të zgjedhjeve permanente.

Patrik Kadelli, i cili merrej me sondazhet në administratën e Xhimi Karterit, e futi në përdorim këtë koncept. Sipas tij, të qeverisësh me aprovim të publikut nën kupton nevojën për një gjendje të kampanjës permanente elektorale.
Kjo qasje nuk ka munguar as në qeverinë e kaluar. Në qeverinë Haradinaj ka pasur ministra që e kanë përdorur mrekullueshëm marrëdhënien me publikun përmes rrjeteve sociale dhe praktikisht kanë qenë në fushatë parazgjedhore prej ditës kur kanë marrë postet e tyre më 9 shtator 2017 e gjer më 6 tetor 2019. E, tash që në qeveri kemi dy elefantët politikë, pritet që kjo gjendje e kampanjës elektorale permanente të jetë akoma më e theksuar.

Vetëm një herë në historinë parlamentare të Kosovës së pas çlirimit kemi pasur një format të këtillë qeverisës. Ka qenë viti 2007 kur dy partitë e parë te dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit – Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike – e krijuan koalicionin qeverisës.

Por, atë botë, kemi pasur të bënim me rrethana krejt tjera. Ishte periudha në vigjilje të zgjidhjes së statusit final të Kosovës dhe shpalljes së pavarësisë. Këso dore, ca me kërkesën ndërkombëtare e ca me presion nga poshtë, Kosova kish nevojë për një qeveri të spektrit të gjerë që do të përfaqësonte jo vetëm thjesht dy partitë kryesore në vend, por edhe dy rrymat kryesore politike historike – atë të rezistencës paqësore dhe atë të rezistencës së armatosur.

Sot rrethanat janë të tjera. Si rrjedhojë, edhe sfidat janë të ndryshme. E, dy partitë e këtij koalicioni qeverisës së bashku do të duhet të përballen me to, si kundër që secila më vete e për vete do të duhet që të mendojë e punojë përzgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo nuk nënkupton që kjo qeveri doemos do të dështojë; kjo nënkupton që dy partitë më shumë do mendojnë për zgjedhjet e ardhshme se sa për qeverisjen e tashme.

(Autori është politolog dhe merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky artikull është shkruar enkas për  Gazetën Metro.)

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë