Loading…

‘Qeveria e re pa alternativë energjetike’

  • Nga

  • BLEND HYSENI

  • 13/02/2020 | 14:29

‘Qeveria e re pa alternativë energjetike’

Qeveria e re ende nuk ka ndonjë plan të qartë dhe të shkruar se si do t’a zgjidhë mungesën e energjisë elektrike në Kosovë. Të dy partitë (LVV-LDK) gjatë fushatës elektorale kanë shprehur, me të drejtë, shqetësimin e tyre lidhur me pasojat ligjore, ekonomike dhe sociale me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe kanë rënë dakord për të anuluar projektin. Megjithatë, nuk kanë ofruar ndonjë alternativë konkrete se si të dalim nga mungesa e energjisë elektrike.

Shkruan: Blend Hyseni

Në dhjetor të vitit 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik nënshkroi marrëveshjen me ‘ContourGlobal’, për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Ky projekt u planifikua të fillojë në fund të vitit 2018 ose në fillim të vitit 2019 dhe të ketë kapacitet prej 500 MW. Sipas kontratës, kosto e këtij projekti mund të arrijë deri në 1.3 miliardë euro. Deri më tani, ky projekt nuk ka filluar së implementuar ngase Parlamentit nuk i është prezantuar kërkesa për aprovim të garancisë financiare të këtij projekti. Si pasojë, financimi nuk është siguruar dhe ndërtimi ende nuk ka filluar. Me Qeverinë e re, gjasat që ky projekt të anulohet janë të mëdha. Dalja nga kjo kontratë do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 20 milion euro dëmshpërblim ndaj kompanisë ‘ContourGlobal’.

Mirëpo përkundër kostos së lartë të daljes nga kjo kontratë, ndalja e projektit të termocentralit ‘Kosova e re’, me kushtet si është nënshkruar ajo, do të ishte pozitive për Kosovën. Kjo sepse kontrata për TC ‘Kosova e Re’ është në kundërshtim me ligjet evropiane mbi konkurrencën dhe ndihmën Shtetërore. Kosova si palë nënshkruese e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Traktatit të Komitetit të Energjisë, si dhe ligjit për ndihmën Shtetërore është e detyruar t’i zbatojë obligimet që ndërlidhen me konkurrencën. Në rrafshin ekonomik dhe social, sipas një analize të Institutit GAP, me ndërtimin e TC Kosova e re çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët fundorë mund të rritet nga 44 deri në 60 përqind. Kjo rritje do të ishte pothuajse e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

Me daljen nga ky projekt, Qeverisë së re përveç që i shtohen opsionet për zgjidhjen e mungesës së energjisë elektrike, i rritet edhe përgjegjësia që zgjidhjen t’a implementojë sa më parë. Deri më tani, sigurimi i energjisë elektrike është perceptuar vetëm nga ndërrimi i termocentraleve të reja. Mirëpo, ekzistojnë edhe opsione të tjera të cilat do të kishin kosto më të ulët dhe ndikim social më të madh. Për shembull, Kosova ka një konsum tejet joefiçientë të energjisë. Pothuajse 40% e energjisë përdoret nga sektori i amvisërisë, konsumi aktual i energjisë është dy herë më i lartë për metër katror në këtë sektor krahasuar me mesataren e BE-së. Shumica e këtij burimi është përdorur për ngrohje gjatë sezonit të dimrit ku izolimet janë tejet joefiçiente dhe humbjet janë të larta. Investimet në efiçiencë të energjisë në sektorin e amvisërisë mund të kursejnë deri në 50 përqind të konsumit aktual. Prandaj, para se të investohet në kapacitete prodhuese të energjisë të cilat kanë një kosto të lartë, duhet të shikohet sa është nevoja e këtij prodhimi pas investimit në efiçiencë të energjisë. Tek pastaj të investohet në kapacitete të reja të cilat kanë një kosto më të përballueshme.

Investimet në tregun e energjisë duhet të bëhen sipas një rangu. Fillimisht të bëhet izolimi i ndërtesave publike, shtëpive private, të investohet bashkë me komuna në zgjerimin e kogjenerimit dhe rivitalizimin e ngrohtoreve qendrore nëpër komuna të mëdha. Pas kësaj të shihet sa është nevoja e saktë e energjisë elektrike dhe të planifikohet investimi në kapacitete prodhuese të reja të energjisë elektrike.

(Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorit Blend HyseniT dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë