Deputetja e deritanishme e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra është emëruar Ministre e Integrimeve Europiane, kurse Ferat Shala, që deri tani ishte zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është emëruar ministër i kësaj ministrie, njofton Klan Kosova.
Burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë konfirmuar këta dy emra për Klan Kosovën si ministra të rinj në Qeverinë e Kosovës, në kuadër të riformatimit të Ekzekutivit.
Deliu-Kodra në postin e ri e zëvendëson Bekim Çollakun, i cili dha dorëheqje nga kreu i kësaj ministrie dhe më pas iu bashkua kabinetit të Presidentit Hashim Thaçi, si këshilltar i lartë.
Ndërsa Ferat Shala, emërohet ministër pasi tash e disa javë e udhëheqë këtë ministri, në mungesë të ish-ministrit Ferid Agani, që dha dorëheqje pasi filloi një hetim gjyqësor ndaj ti.
Ministrja tashmë e re e Integrimeve, Deliu-Kodra, ditë më parë në një prononcim për klankosova.tv, kishte thënë se përkundër që e ka shumë të rëndësishëm pozicionin e deputetes, ajo do të pranonte një post tjetër, edhe brenda Qeverisë, nëse këtë ia kërkon partia e saj.