Janë bërë 60 ditë që kur familja e Astrit Deharit i ka dërguar të dhënat Ministrisë së Drejtësisë për Institutin Zviceran, që ka vendosur ta angazhojë për hetimet rreth vdekjes së aktivistit të VV-së.
Ministria ende nuk është përgjigjur në këtë kërkesë, derisa ka udhëzuar avokatin e familjes Dehari që t’i drejtohet Zyrës së kryeministrit për sqarime.
Më 5 maj bëhen 6 muaj që nga vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai ka qenë duke u hetuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, kurse tek 1 muaj pas vdekjes së tij,  Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm ndaj 4 aktivistëve tjerë të Vetëvendosjes, raporton Koha.net
Familja nuk i ka pranuar rezultatet e hetimeve zyrtare shtetërore asnjëherë, sipas të cilave Dehari kishte vrarë veten. Për këtë, Kuvendi vitin e kaluar miratoi një Rezolutë, sipas të cilës, obligon Qeverinë që t’i paguajë shpenzimet e një hetimi ndërkombëtar.
Pika e fundit e Rezolutës së Kuvendit megjithatë mund të jetë problem, meqenëse aty thuhet se ekspertizat shtesë mund të bëhen në çdo vend të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së. Zvicra, ku familja e ka zgjedhur Institutin për hetim, nuk është anëtare e BE-së.
Megjithëkëtë, Qeveria vazhdimisht është kritikuar për moszbatim të Rezolutave të Kuvendit të Kosovës.