Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme fillimisht është informuar për statusin e hartimit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas informatës Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës është pjesë e Programit Legjislativ për vitin 2019. Me këtë Projektligj, përcaktohen parimet e punës së Qeverisë e cila në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv, bazuar në parimin e ligjshmërisë, përgjegjshmërisë, transparencës, si dhe parimin e efikasitetit dhe efektshmërisë.
Projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përcakton përbërjen, mandatin e Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe kufizimet në kompetencat e Qeverisë në dorëheqje. Po ashtu, me këtë Projektligj përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë si dhe aktet me të cilat vendos Qeveria.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar të rëndësishme aprovimin e tri ligjeve të rëndësishme për reformën e administratës publike nga Kuvendi i Kosovës:
1. Ligji për administratën shtetërore,
2. Ligji për zyrtarët publik,
3. Ligji për pagat
Me kalimin e kësaj pakoje, po e përmbyllim një punë intensive të të gjitha institucioneve të vendit, në zbatim të programit të punës së Qeverisë, Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendës së Reformave Evropiane dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Këto projektligje konsiderohen si shtyllë e shtetit dhe funksionimit të tij dhe të cilat i japin vendit qeverisje të mirë, zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit dhe të orientojnë shoqërinë kah Bashkimi Evropian, ku është e ardhmja jonë.
Miratimin e Qeverisë ka marr Rregullorja për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria ka marr vendim që të ndaj mjete për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit, znj.Arite Sylejmani, në shumën në vlerë prej 50 mijë eurove.
Kabineti qeveritar ka aprovuar rekomandimin e Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit të investitorit strategjik për subjektin investues “SOWI KOSOVO L.L.C. Vlera e kapitalit të këtij investimi strategjik është 169,093,575.00 euro.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për ministrin e Punëve të Brendshme për nënshkrim të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.
Marrëveshja synon heqjen e pengesave për qarkullimin e lirë në kufijtë e përbashkët ndërmjet dy vendeve dhe të garantojë lirinë e kalimit të kufirit për qytetarët dhe për lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve.
Marrëveshja do të garantojë kalimin në çdo pikë kufitare pa kryer kontrollin e personave mirëpo në situata të kërcënimit të sigurisë apo situatave të veçanta mund të rivendoset kontrolli përkohësisht deri në 30 ditë por që mund të zgjatet deri në rivendosjen e gjendjes normale.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar nismat për:
1. Aderimin e Kosovës në ICMP, Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Zhdukur;
2. Për lidhjen e Marrëveshjes për Sigurime Sociale me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë;
3. Për lidhjen e Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi;
4. Për negocimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Unionin Ndërkombëtarë për Ruajtjen e Natyrës.
Kabineti qeveritar ka miratuar Koncept dokumentin për Administrimin e Ndërtesave të Banimit në Bashkëpronësi. Ky koncept dokument analizon situatën aktuale në këtë fushë dhe rekomandon hartimin e Ligjit të ri për Administrimin e Ndërtesave në Bashkëpronësi që do të rregullonte këtë fushë.