Loading…

Qeveria Kurti: Nuk do të bëhet autostrada e Dukagjinit dhe do ta hetojmë

  • 30/11/2019 | 13:46

Qeveria Kurti: Nuk do të bëhet autostrada e Dukagjinit dhe do ta hetojmë

Projekti i autostradës së Dukagjinit do të ndalet nga qeveria e ardhshme Kurti dhe pritet që të hetohet. Kështu ka thënë Besnik Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shtuar se nuk do ta lejojnë ndërtimin e saj, transmeton Gazeta Metro.


Qeveria në largim këmbëngulë që autostrada e Dukagjinit të ndërtohet. Por ajo në ardhje mbetet kundër kësaj. Në Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës deklarojnë se ky projekt do të stopohet, pasi qyteteve të Dukagjinit nuk iu nevojitet një autostradë e tipit të mbyllur. Madje, thonë se ky projekt edhe do të hetohet.

Edhe pse Qeveria në largim ka shpenzuar mbi 1 milion euro për fizibilitetin e projektit të autostradës së Dukagjinit, dy partitë që pritet ta formojnë Qeverinë e re, kanë qëndrim të prerë për ta ndaluar së realizuari këtë projekt infrastrukturor.

Megjithatë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka paraparë edhe 50 milionë euro për vitin 2020, për këtë autostradë që lidhë komunat Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, në gjatësi mbi 90 kilometra.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti këto që do pritet ta formojnë qeverinë e re, janë deklaruar se nuk do të lejojnë ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Nga VV-ja Besnik Bislimi i tha KosovaPress-it, se projekti për autostradën e Dukagjinit do të stopohet, madje edhe do të hetohet nga qeveria e re. Bislimi tregon se do të hetohen edhe disa projekte të tjera që kanë nisur nga qeveria në largim me disa kontrata të dyshimta korruptive.

“Haradinaj nuk është kujdesur shumë për projekte madhore, në diçka që ka impakt të madh në ekonomi. Më shumë ka qenë i fokusuar në projekte ku ka qarkullim shumë të parave dhe rrjedhimisht ka mundësi të mëdha për përfitime anash. Në këtë kontest edhe ka filluar shumë procese jo me idenë me përfunduar ato, por vetëm me krijuar njëfarë imazhi se po punohet dhe qysh në start ndoshta me pasur disa përfitime. Nuk është këtu vetëm autostrada e Dukagjinit, por kemi të bëjmë edhe me kontratën ‘Bechtel-Enka”. Është një kontratë tjetër me Aeroportin e Prishtinës. Ka shumë kontrata bajagi korruptive, të cilat jo vetëm që do të stopohen, mirëpo edhe do hetohen”, deklaroi Bislimi.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa deklaron për KosovaPress, se qyteteve të Dukagjinit nuk iu nevojitet një autostradë e tipit të mbyllur, prandaj kjo parti nuk mbështet një projekt të tillë, por një zgjerim të rrugës prej së cilës do të përfitonin qytetarët dhe bizneset në atë pjesë.

“Ne kemi deklaruar dhe parashohim që të kemi një zgjerim të magjistrales ekzistuese, pra e shohim si më përfituese për vet qytetarët të atij regjioni që të kemi një magjistrale të zgjeruar, e jo një autostradë të mbyllur e cila nuk është e qasshme për qytetarët dhe bizneset. Pra, ne e shohim si më profitabile për vet qytetarët e Dukagjinit dhe për bizneset në atë regjion”, thotë Mustafa.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se qeveria në ardhje nga VV dhe LDK mund ta stagnojë ose vonojë projektin e autostradës së Dukagjinit, por ky projekt është i pashmangshëm.

Haradinaj thotë se kjo autostradë duhet të ndërtohet, ngaqë ka përfitim në ekonomi dhe interes për çdo qytetarë të Dukagjinit. Ai deklaron se për këtë projekt janë ndarë mjete buxhetore dhe po ashtu për vitin e ardhshëm, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka paraparë mbi 50 milionë euro për vitin 2020.

Sidoqoftë, kryeministri në largim, thotë se jetësimi i këtij projekti tani mbetet në duart e Qeverisë së re të Kosovës.

“Te Autostrada (e Dukagjinit), mendoj se është në proces, fizibiliteti dhe plotë aspekte të tjera janë bërë. Është edhe një buxhet i ndarë. Autostrada nuk është një projekt që ndodh për një ditë. Kjo Qeveri mundet ndoshta me stagnu ose me vonu, por do të jetë i pashmangshëm edhe për këtë qeveri. Ideja se ne vetëm e zgjerojmë rrugën, është një pështjellim që po ndodh. Rruga ekzistuese ose zgjerimi saj ka një karakter tjetër. Por, për atë zonë është e pamundur pa një autostradë… Si do që të jetë, ne jemi të bindur se disa qëndrime ose deklarative opozitare munden me ndërru formë gjatë qeverisjes”, deklaron Haradinaj.

Përveç autostradës, qeveria e re do të jetë e sfiduar edhe me dy projekte të tjetra, atë për “Kosovën e re” dhe për Fondin sovran.

Besnik Bislimi thotë se për Fondin sovran është parë nevoja për disa sqarime shtesë me partnerin e mundshëm për qeverisje të vendit, mirëpo jo që ka rezerva.

Edhe Besian Mustafa shton se vendimi final për projekte energjetike dhe Fondin sovran, janë tema që i do të shtrohen gjatë takimeve mes liderëve politik, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.

Ndërkaq sot është duke zhvilluar takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ku pritet edhe finalizimi i koalicionit. /gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë