Loading…

Qeveria Kurti zero transparencë me gazetarët

  • 10/12/2021 | 08:29

Qeveria Kurti zero transparencë me gazetarët

Transparenca në raportim me informacionet ndërmjet Qeverisë së Kosovës si dhe mediave po konsiderohet si jo e mjaftueshme, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet që janë në pronësi publike, ende vuajnë nga mungesa e transparencës.


Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, u shpreh se media të ndryshme dhe të shumta e kanë vënë në theks mbylljen e Qeverisë Kurti në përgjigje ndaj gazetarëve.

“Deklaratat publike të dy zëdhënësve të Qeverisë janë shumë të rralla, ndërkohë që nga dhjetëra pyetje që dërgohen gjatë gjithë ditës nga media të ndryshme tek qeveria shumë pak prej tyre marrin përgjigje dhe këtë na thonë vetë gazetarët”, ka thënë Rexha.

Por, deklaron se AGK-ja është duke qëndruar në kontakt me gazetarët në mënyrë që të veprohet diçka për këtë çështje.

“Ajo çfarë jemi duke bërë aktualisht është që jemi në kontakt me mediat për të marrë një numër më saktë le të themi të kërkesave që janë bërë brenda një kohe të caktuar dhe sa prej tyre kanë marrë përgjigje nga ana e Qeverisë për të e bërë më të qartë masën se sa informuese është kjo qeveri”.

Ilustrim i gazetarëve në konferenca për media.
Rexha thekson se, “Kurti në konferenca për media i lejon gazetarët që të bëjnë pyetje për çështje të ndryshme, por që këto takime nuk janë të mjaftueshme”.

Raste të tilla në të cilat gazetarët nuk marrin përgjigje janë të shpeshta edhe në mediumin Kanal10, kështu bën të ditur për Albanian Post redaktori i këtij mediumi, Naim Sadiku.

“Janë dhjetëra raste vetëm të mediumit tonë, që gazetarët nuk marrin fare përgjigje, ose duhet pritur për ditë të tëra për një përgjigje me shkrim”.

Sadiku sqaron se, “një qasje të tillë e gjen edhe nga ana e Qeverisë, mirëpo edhe pothuajse tek çdo ministri”.

Hezitim nga institucionet shtetërore ka edhe për temat më të thjeshta.

“Tash e tri ditë gjashtë ministri të ndryshme, nuk janë duke kthyer përgjigje për disa tema që lidhen me shpenzimin e buxhetit për këtë vit”, deklaron ai.

Edhe pas ankesave të gazetarëve që nuk po ka transparencë të mjaftueshme të institucioneve shtetërore me gazetarët, Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” thotë se nuk janë paraqitur kërkesa të mediave drejtuar Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

“Sipas ligjit, institucionet kanë shtatë ditë kohë për përgjigje dhe në rast që nuk kthejnë përgjigje apo ndalojnë qasjen në dokumente publike, ankesa duhet të dërgohet tek Agjensia për Informim dhe Privatësi, e cila ka për detyrë pastaj t’i shtyjë institucionet që ta respektojnë ligjin”.

Megjithatë, Hoxha konsideron se në rastin e mungesës së komunikimit mes këtyre dy palëve mund të shfaqen problematika.

“Roli i mediave duhet të jetë informimi i drejt, por edhe një platformë që e mban qeverinë përgjegjëse”.

Ilustrim: Gazetarët në konferenca për media.
“Nëse ky qëllim nuk përmbushet dhe krijohet konflikt në mes të mediave dhe qeverisë, atëherë kjo bije direkt në kurriz të qytetarëve dhe krijohet hapësirë për keqpërdorim të parasë publike apo postit zyrtar”.

Por, sqaron se ka veprime të cilat mund të ndërmarrin edhe gazetarët në rast se ka mungesë të informacioneve.

“Ankesat duhet të dërgohet tek Agjensia për Informim dhe Privatësi, e cila e ka obligim ligjor që të “detyrojë” institucionet që ta respektojnë ligjin. Institucionet nëse nuk kthejnë përgjigje apo nuk ofrojnë qasje në dokumente publike, Agjensia mund edhe të shqiptoj gjoba apo veprime të tjera drejt institucioneve”.

Transparenca është një çështje me të cilën merren shumë autoritete, institucione dhe biznese. Transparenca paraqet një nga parimet themelore për arritjen e një demokracie të shëndoshë dhe një shteti apo shoqërie funksionale, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile./Albanianpost.com

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë