Loading…

Qeveria më e paaftë e Kosovës që meritonte të ikte, por jo tani

  • Nga

  • ADRI NURELLARI

  • 27/03/2020 | 15:30

Qeveria më e paaftë e Kosovës që meritonte të ikte, por jo tani

Qeveria në ikje jo vetëm që është qeveria më jetëshkurtër e Kosovës por edhe më e dshtuara. Fatkeqësisht k kryeministri Kurti ka zhgënjyer shumë pritshmëri e shfryrë shumë iluzione duke dalë si kryeministri më i paaftë në historinë e demokracisë së Kosovës, që nuk ka ditur të përshtatet me rregullat e demokracisë ku dominojnë vlera si dialogu, pluralizmi dhe arritja e konsensusit.


Shkruan – Adri Nurellari

I mësuar gjithë jetës së tij politke me konflikt, e vetmja gjë që arriti të bënte në pak ditë si kryeministër ishte thellimi i konfliktit me opozitën duke organizuar seanca klandestine që përjashtuan opozitën, ndezi konfliktin me institucionet e pavarura si presidenca, shkatërroi marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtar strategjik amerikanë si dhe nisja e konfliktit me partnerët bashkëqeverisës të LDK-së brenda vendit. Me konfliktin që shkaktoi me vetëdije brenda koalicionit qeverisës ai demonstroi një papërgjegjshmëri të jashtëzakonshme historike sepse nxiti një krizë politike pikërisht në momentin më delikat e të papërshtatshëm për vendin, kur shoqëria jonë po ballafaqohet me kërcënimin e rëndë të epidemisë së koronavirusit.

Që në formim të kësaj qeverie, kryetari dhe zyrtarët e saj gjithë kohën kanë përmendur me arrogancë shprehjen “qeveria më e mirë e pasluftës”. Mirëpo faktikisht kjo ka dalë më e dështuara që ka pasur Kosova. Paaftësia dhe keqkuptimi i qeverisjes nga shumica aktuale, tregohet më së miri nga fjalimi i Kurtit për bilancin e 50 ditëve në pushtet. Në seancën kur u shkarkua me mbi 2/3 e deputetëve nga parlamenti që vetëm 50 ditë me herët e kishte votuar kryeminstër me 66 vota, kryeministri në ikje nuk kishte asgjë domethënse vizionare konkrete e përmbajtjesore politike për t’u krenuar.

Ai u përpoqte të shiste si evidencë apo provë të suksesit të qeverisë së tij vendime të tipit: emërimi i Komitetti për Partneritet Publiko-Privat,, themelimi i grupit të ekspertëve të pavarur për vetingun, themelimi një komiteti të projektit të asistencës teknike “energjia nga linjiti”, bartja e ministrisë së integrimit në një lokacion të ri, miratimi i shpronësimeve të tjera në rrugën Prishtinë-Mitrovicë apo u miratimi i marrëveshjes së radhës së grantit me Bankën Botërore.

Këto nuk janë gjë tjetër përveçse masa burokratike, veprime administrative, procedura standarde pra aktivitete të rëndomta rutinore të denja për një nëpunës të thjeshtë civil e jo për një lider politik. Këto akte të thjeshta sipërfaqësore i ndermerr zakonisht një i “ngarkuar me punë” apo “ushtrues detyre” në një institucion, i cili përkohesisht zëvendëson dhe kujdeset për mbarëvajtjen e një institucioni derisa të të kthehet udhëheqësi i vërtetë i institucionit. Mandej vetëm kur kthehet ai që është drejtues përnjimënd në krye të institucionit, mund të vendoset për vizion, strategji e politika publike për të vënë në jetë idetë politike të proklamuara në fushatë. Po ashtu një kryeministër dinjitoz i suksesshëm parashtron projekte madhore infrastrukturore në transport apo energjitikë, ristrukturim të buxhetit për të reflektuar ideologjinë dhe premtimet elektorale, reforma gjithpërfshirëse në sherbime publike si arsimi e shëndetësia etj. e nuk krenohet me shkarkime e emërime emrash të përveçëm.

Po ashtu kryeministri i shkarkuar u mburr se qeveria ndau 433 mijë euro për dëmet në Pejë e Istog, 200 mijë euro për tërmetin në Shqipëri, 400 mijë për Covid 19. Këto janë vendime menaxheriale periferike për një kryeministër që ka në dorë një buxhet 2.4 miliardë euro për të shpenzuar në të mirë të vendit. Po aq qesharake është lëvdata ndaj vetes për uljen e pagave. Ky vendim ishte një truk publicitar populist që synon të mashtrojë qytetarin. Ai vendim është bërë vetëm për t’i hedhur hi në sy qytetarëve sepse nuk ka ndonjë efekt real, pasi vendimi për rrogat do të vendoset nga gjykata Kushtetuese. Ligjin e Pagave të Funksionarëve Publik është në Gjykatë Kushtetuese dhe këtë muaj ose në atë që vjen merret vendimi, dhe nëse miratohet, atëhere vendimi i Kurtit për të ulur pagat bëhet i pavlefshëm dhe rrogat do të jenë sërish të larta në bazë të ligjit tënxjerrë nga qeveria Haradinaj.

Kryeministri në largim Kurti në përgjithësi do të njihet si kryeministri i shkarkimeve. Ai erdhi në pushtet duke premtuar luftën kundër korrupsionit, kundër varfërisë apo papunësisë por në fakt për sa ditë ka qenë në krye të qeverisë është marrë vetëm me shkarkime të paligjshme për t’i zëvendësuar mandej me militantë partiakë dhe të afërm të qeveritarëve të rinj në përpekje për të kapur shtetin dhe shtuar pushtetin. Në fund ai thjesht u bë viktimë e qasjes dhe metodës së tij, e nisi qeverinë vetëm me shkarkime, shkarkoi ministrin më të rëndësishëm të partisë aleate, dhe me atë shkarkim shkarkoi qeverinë e tij.

Kryeministri më jetëshkurtër i Kosovës, e shit me krenari të madhe si arritje shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike “Telekomi i Kosovës” Sh.A.; “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A, “Trepça” Sh.A pa bërë paraprakisht një analizë të punës dhe një auditim nëse janë bërë shkelje apo abuzime e mandej pa përgatitur padi në prokurori për shpërdoruesit. Këta zyrtarë u shkarkuan me ngut që mandej të zëvendësoheshin me militantë partiakë apo në mënyrë nepotike me familjarë të qeveritarëve të rinj, sikurse është raportuar edhe në media. Pra nuk ishte mirëfilli ndonjë veprim për të goditur korrupsionin sikurse është premtuar për vite me radhë nga LVV, por thjesht një orvatje për të kapur shtetin.

Për më tepër një pjesë e mirë e shkarkimeve që ka ndërmarrë janë në shkelje të ligjit për shërbimin civil. Shumë nga nëpunësit e shkarkuar janë përzgjedhur në përputhje me ligjin madje me procese të monitoruara nga partnerë ndërkombëtarë sikurse qe rasti i shkarkimit të drejtorit të doganës i cili ishte përzgjedhur me një proces profesional të bazuar në memorandumin e nënshkruar me Ambasadën Britanike. Kuptohet që këta persona do e fitojnë gjyqin për shkarkimin dhe buxhetit i shtetit ka për të kompensuar rrogat e humbura për shkak të papërgjegjshmërisë dhe abuzimeve të qeveritarëve. Për mos të folur mandej shkeljen e parimit të vazhdueshmërisë së administratës publike përtej lëvizjeve politike; për humbjen e eksperiencës, memories kolektive si dhe ekspertizës për të cilën shteti ynë dhe donatorët kanë harxhuar aq shumë para.

Manifestim i paditurisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie ishte edhe orvatja e zellshme e ministrit në detyrë të jashtëm, për të shkarkuar rrufeshëm në mënyrë të paligjshme dhe turpëruese për Kosovën 7 ambasadorë nga vendet kyçe partnere të Kosovës. Sipas nenit 88, pika 25, të Kushtetutës së Kosovës, presidenti ka drejtën për t’i shkarkuar dhe emëruar të gjitha shefat e misioneve diplomatike me propozimin e qeverisë gjë që do të thotë se pavarësisht dëshirës për t’i uzurpuar këto poste diplomatike, Konjufca nuk ka autoritet ligjor. çka dëshmon një mosnjohje elementare të funksionimit të diplomacisë dhe bën edhe me të rëndë këtë veprim arbitrar së bashku edhe me shkarkimin e 14 konsujve, është fakti që vendet pritës fyen, nëse ndërmerren kësilloj veprimesh të befasishme e të paparashikuara pa konsulta paraprake me ta. Diplomati për tu vendosur në një shtet të huaj duhet të marri paraprakisht miratimin e këtij vendi dhe imazhi i Kosovës si shtet serioz rrënohet nëse diplomatët tanë tërhiqen në mënyrë emergjente pa motive të argumentuara mirë.

Vetëvendosja po shet si sukses të sajën ballafaqimin me krizën e koronavirusit, kur të gjithë e kanë parë se kjo qeveri reagoi me masa të rrepta e fundit në rajon pas gjetjes së rasteve të para të të sëmurve në Kosovë. Ndërkohë që përmasa kërcënuese globale e kësaj sëmundje u bë e qartë që para dy muajsh dhe vendet fqinje u prekën që para një muaji. Nga inati personal që ka me presidentin, kryeministri Kurti nuk e ka vendosur ende gjendjen emergjence, pavarësisht se kjo vonesë është duke shkaktuar kosto të mëdha oportune. Pra për faj të papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie ende sot Kosova është shumë prapa vendeve fqinje për sa i përket masave të rrepta të ndërmarra që mundëson vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në përgjithësi kjo qeveri ka treguar veç neglizhencë, ngathtësi dhe paaftësi në përballjen me emergjencën duke masa kaotike, të paplanifikuara, të improvizuara. Kështu për shembull fillimisht qeveria mori vendim që të ndalej puna e bareve e lokaleve në orën 23 të mbrëmjës sikur koronavirusi të flinte gjatë ditës e të kishte efekt vetëm natën. Po ashtu e ka kufizuar qarkullimin e qytetarëve në pak orë të mëngjesit, duke i rrezikuar edhe më shumë qytetarët e këtij vendi, sepse i detyron ata të tubohen, pa respektuar distancën sociale, për të marrë shërbime publike shumë të nevojshme për ta dhe familjet e tyre. Mediat raportuan në gjithë vendin qytetarët të tubuar për të marrë asistencë sociale, për të marrë shërbime në postë, banka etj. Një tjetër ilustrim i dështimit është karantina në Qendrën e Studentëve, për të cilën mediat kanë paraqitur raste arratisje të të infektuarve, kushte miserabël higjeno-sanitare si dhe mosplotësimin e kritereve minimale të izolimit të të karantinuarve të cilët raportohet se qëndrojnë në grupe.

Papërgjegjshmëria dhe paaftësia e qeverisë së shkarkuar të Kurtit për të përballur me dëmet e pandemisë korona virus dëshmohet më së miri nga mungesa e një pakoje ekonomike për të stimuluar bizneset, për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat që po detyrohet të rinë në shtëpi. Shqipëria ka parashikuar 300 milionë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë ndërsa Maqedonia është duke hedhur 600 milionë euro. Ndërsa qeveria e paaftë dhe e papërgjegjshme Kurti është duke e lënë ekonominë në rënie të lirë. Buxheti i kësaj qeverie u miratua kur sapo kishte nisur epidemia por pa dedikuar asnjë fond të posaccëm për pandeminë, e gjasat janë që do duhet të ristrukturohet së shpejti. Në kushtet kur ekonomia e vendit po shkon drejt kolapsit e dhjetëra mijëra qytetarë kanë ngelur pa punë, ministrja e ekonomisë së kësaj qeverie Hajdari thotë në mënyrë të paturpshme se qeveria kosovare nuk do ndërmarrë asnjë veprim, nuk ndihet përgjegëse ndaj fatit të bizneseve e punëtorëve sepse “nuk e ka sjellë kjo qeveri koronavirusin”. Të gjitha këto por edhe shumë arsye të tjera që një shkrim i vetëm nuk mund të listojë, tregojnë se kjo qeveri, më e dështuara e historisë së Kosovës, meritonte të ikte, por vetëm se jo tani, jo në mes të luftës me pandeminë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë