Një dokumentacion që lidhet me matjet e bëra në pjesën e quajtur Bjelluhë në kufi me Malin e Zi ka ngritur një numër pyetjesh rreth problematikës së demarkacionit.
Ishte deputeti i PDK-së në komisionin për bujqësi, Shaip Muja, ai që ka ngritur alarmin për, siç ka thënë, moskthimin e këtij dokumenti të marrë nga Arkivi i Kosovës nga zyrtarët shtetërorë.
Dhe, për këtë Muja ka kërkuar edhe ndërhyrjen e prokurorisë.
Mirëpo, për këto të dhëna nuk kishin fare informacion drejtuesit e Ministrisë së Ambientit, të cilët ishin të ftuar për raportim në mbledhjen e komisionit për Bujqësi.
Madje, të njëjtët edhe hezitonin gjithë kohës të flisnin për demarkacionin, pavarësisht insistimit të 3 prej 6 anëtarëve.
Në këtë raportim, ministri Ferati ka folur edhe për ndotjen e ajrit me ç’rast ka thënë se vendi e ka të vështirë të marrë masa dhe se kërkohen 4 milionë dollarë me qëllim të vendosjes së matësve në të gjitha komunat dhe ndërrimin e pajisjeve ekzistuese.
Për këtë çështje kishte shumë ankesa.