Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur në konferencë për media bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin, rreth masave të reja që ka marrë Qeveria nga dita e sotme deri më 18 prill, duke premtuar ndihmë për bizneset që dëmtohen gjatë mbylljes, shkruan Gazeta Metro.
Vitia ka thënë se është në dijeni për pakënaqësitë e sektorit të gastronomisë, por nuk kanë pasur zgjidhje tjetër.
Ne jemi takuar me Shoqatën e Gastronomëve, kemi marrë disa nga kërkesat e tyre, por normalisht se ka pasur disa kufij se çfarë është e lejueshme. Megjithatë, masat janë marrë pas diskutimeve që kemi pasur edhe me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili ka shprehur gatishmërinë që t’iu qëndrojë prapa të gjitha bizneseve dhe sektoreve që do të pësojnë nga këto masa”, ka thënë Vitia para mediave.
Murati ka thënë se do të dalin së shpejti me dizajnin e masave për të ruajtur ekonominë në Kosovë, me theks të veçantë ata tha se synojnë që të ndihmojnë bizneset me pagesat e qirave dhe pagat e punëtorëve.
Murati theksoi se e kanë për qëllim të ruajnë vendet e punës, por që prioritet është shëndeti i qytetarëve të vendit.
“Jemi të gatshëm që të qëndrojmë pranë vendimeve të Qeverisë dhe atyre të ministrit të Shëndetësisë. Jetët e njerëzve janë më të rëndësishme sesa ekonomia, fundi i fundit”, u shpreh Murati.
Murati theksoi se kanë takuar edhe përfaqësuesit e gastronomëve dhe se do të takohen prapë.
“Sa i përket masave që do të merren për të mbështetur bizneset që preken nga masat, kemi takuar përfaqësuesit dhe i kemi siguruar që mbështetja nuk do të mungoj. Ideja është të mbështeten qiratë dhe pagat e punëtorëve. Synimi jonë është të ruhet shëndeti ekonomik dhe vendet e punës. Shumë shpejt do të të marrim masa konkrete”, tha Murati.
Murati theksoi se gjatë ditëve në vijim do të takojë edhe njëherë përfaqësuesit e sektorëve të rpekur nga masat antiCOVID, dhe pastaj do të dalin konkretisht me masat ekonomike.
“Ditëve në vijim do të takojmë edhe njëherë përfaqësuesit e sektorëve dhe bashkë do të dakordohemi se cilat do të jenë masat. Ideja është subvencionimi i qirave dhe pagave, por prapë ka dallime sepse jo çdo sektorë është i njëjtë. Prapë ka dallime dhe ka specifika për secilin sektor. Të dhënat i kemi, do të bëjmë analizën dhe besoj që shumë shpejt, gjatë ditëve në vijim dalim me masa konkrete”, u shpreh Murati gjatë konferencës së përbashkët për medie që mbajti me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia./gazetametro.net