Erdhën në pushtet me fjalë të mëdha se do ta ndalonin korrupsionin dhe do të bënin gjithçka për të rritur ekonominë e vendit e për të ulur varfërinë, por duket se rrugës ndërruan mendje dhe e pasuruan veten, shkruan Gazeta Metro.
Sipas raporteve të publikuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, secili nga qeveritarët ka pasuri më shumë se tjetri.
Nga deklarimi i Kryeministrit të vendit, Albin Kurti, shihet se i është shtrenjtuar qiraja e banesës për 100 euro, teksa i kanë rënë kursimet. Tek pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme nuk ka ndonjë ndryshim. Si pasuri të paluajtshme, Kurti ka përmendur banesën e bashkëshortes, në vlerë 530 mijë euro.
Ndonëse në llogarinë e tij ka deklaruar vetëm 16.41 centë, në emër të bashkëshortes janë 19 mijë e 500 euro me prejardhje nga paga dhe trashëgimi nga prindi, 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro të tjera të vajzës, që thotë se e kanë prejardhjen nga familjarët.
I dyti i Qeverisë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se në pronësi ka një banesë prej 99 metra katrorë me vlerë 84,150 euro, një parcelë toke prej 53.90 m² me vlerë 10,781 euro, si dhe një vendparkim prej 12 m² në vlerë 2,160 euro. Në llogaritë bankare, Konjufca ka deklaruar gjithsej 8,470 euro kursime, të depozituara në Bankën Kombëtare Tregtare. Sa i përket detyrimeve financiare, ai ka një kredi për blerjen e banesës, me vlerë fillestare 55 mijë euro, ndërsa aktualisht i mbeten për t’i shlyer rreth 27,651 euro. Kostoja totale e kësaj kredie tejkalon 61 mijë euro.
Pasuria totale e Konjufcës arrin hiq më pak se 105,561 euro, ndërsa pas zbritjes së borxhit të mbetur, pasuria neto vlerësohet rreth 77,900 euro.
Pasi mori detyrën e kryeparlamentares, duket se Albulena Haxhiu e shpërbleu veten me një banesë në vlerë 128 mijë e 740 euro bashkë me bashkëshortin e saj.
Haxhiu ka deklaruar se këtë banesë, me sipërfaqe prej 128.74 metër katror, e kanë blerë me kredi. Tek detyrimet financiare figuron një kredi në vlerë 160 mijë euro në emër të saj, ku vlera e mbetur është 159 mijë e 89 euro. Në emër të bashkëshortit, i cili është anëtar i VV-së në KQZ, ka deklaruar një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë prej 15 mijë euro.
Ministrit që mban “kuletën” e shtetit, Hekuran Muratit, i është shtuar vlera e aksioneve që mban në kompanitë e huaja “Tesla” dhe “Netflix”.
Vlera e aksioneve të Muratit në kompaninë amerikane teknologjike “Tesla” ka shkuar në rreth 46 mijë euro, krahasuar me 39 mijë euro sa vlenin vitin e kaluar. Ndërsa aksionet që ai mban në kompaninë “Netflix” janë zbritur nga rreth 17 mijë në 16 mijë euro, sipas formularit të deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Murati, në deklarimin e sivjetmë të pasurisë, ka deklaruar se mban 6,700 euro në banka. Sipas deklarimit të pasurisë, ministri Murati posedon një banesë prej 41 metra katrorë, të cilën ka deklaruar se e ka blerë për 38 mijë euro me “hua nga familja”, të cilën ka thënë se e ka shlyer më pas.
Hiq më keq nuk është as zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i cili në tri kategori të parave të gatshme ka deklaruar: 57 mijë euro para të gatshme (cash) në pronësi të prindërve, me prejardhje nga kursimet jetësore të familjes; 4 mijë e 127 euro para të gatshme në Raiffeisen Bank Kosovo, në pronësi të vetë deklaruesit (prejardhja nga paga); si dhe 4 mijë euro para të gatshme në OTP Banka në Slloveni, në pronësi të prindërve (prejardhja nga paga)/gazetametro.net